1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në prag të samitit të G-20 - A do të mbijetojë eurozona? A ka një të ardhme G-20?

31 Tetor 2011

Në Kanë, zona elitare në bregun e kaltër të Francës, Cote d´Azur, më 3 dhe 4 nëntor takohen kryetarët e shteteve dhe të qeverive të 20 vendeve më të rëndësishme industriale dhe atyre në ekspansion industrial.

https://p.dw.com/p/131zv
Fotografi: dapd

Në Kanë do të zhvillohet takimi i gjashtë i nivelit të lartë i këtij lloji që pas falimentimit të bankës investuese në SHBA Lehman Brothers përpara tre vjetësh. Asokohe sistemi botëror i financave rrezikohej të pësonte kolaps.

15 nëntor 2008, Uashington D.C., godina e Muzeut Kombëtar: pikërisht dy muaj më parë në SHBA kriza e hipotekave përjetoi kulmin e saj me falimentimin e bankës Lehman. Retë e shokut përshkuan mbarë globin, bota e financave po shihte teposhten. Një rreze shprese po dukej në fund të tunelit. Ndihma pritej të vinte nga një samit i kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të industrializuara dhe atyre në ekspansion industrial. G-20 vërtetë ekizistonte prej kohësh, por deri në këtë çast ajo kish funksionuar vetëm në nivelin e ministrave të financave. Emergjenca mblodhi së bashku krerët e shteteve dhe të qeverive. Në fund të takimit kancelarja gjermane Angela Merkel: "Unë besoj, se këtu duhet të garantojmë një vullnet të madh të përbashkët, në mënyrë që të mos përsëritet një krizë e tillë. Bëhet fjalë, që të gjithë pjesëmarrësit në treg, të gjitha produktet dhe të gjitha tregjet vërtetë të rregullohen, ose të mbikqyren, nuk duhet të ketë zona të pakontrolluara - e ne do t'ia arrijmë kësaj. Fjala është që të gjejmë mënyrën se si të qeveriset bota me koncepte të politikës, dhe jo që ekseset në tregje të na shkatërrojnë gjithçka që ne duam."

Në Uashington vendoset një paketë me rreth 50 masa, të cilat mundësisht duhet të vihen shpejt në zbatim. Një gjysmë viti më vonë, në fillim të prillit 2009, në Londër u zhvillua samiti pasues. Në të u vendos "Planaksioni i G-20 për Zhvillimin dhe Reformën". Sistemit të financave duhet t'i vihen frerët. Oazet e taksave do të damkosen në listën e zezë. Gordon Brown, asokohe kryeministër britanik, thuajse me patetizëm deklaroi: "Kjo është dita, në të cilën bota u bashkua për të kundërvepruar ndaj recesionit global. Jo me fjalë, por me një plan për një zhvillim dhe për reforma mbarëbotërore."

G20 G-20 Seoul NO FLASH
Samiti i G20 në SeulFotografi: AP

Më mirë kursime apo më shumë programe koniunkturore?

Sërish një gjysmë viti më vonë, në fund të shtatorit 2009, është presidenti i SHBA-së Barack Obama nikoqiri i samitit të radhës të G-20. Ai ka ftuar në Pitsburg, në ish-metropolin e çelikut. Në këtë takim bëhet një hap tjetër përpara në rregullimin e tregjeve financiare, FMN-ja pajiset me më shumë para, vendet në ekspansion industrial fitojnë më shumë peshë në FMN. Konform kësaj edhe bilanci i Barack Obama-s është pozitiv: "Përpara gjashtë muajsh unë thashë, që samiti në Londër shënon një pikëkthese në përpjekjet tona për të penguar një katastrofë ekonomike. Këtu në Pitsburg ne kemi bërë hapa të dukshëm përpara, për të siguruar zhvillimin tonë dhe për të shkuar drejt një zhvillimi ekonomik të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Ne e kemi shpëtuar ekonominë botërore nga humnera. Ne sot kemi vendosur themelin për mirëqenien e qëndrueshme afatgjatë."

Barack Obama Pittsburgh G-20 Gipfel grinst
Barack Obama në samitin e G-20 në Pitsburg, 25 shtator 2009Fotografi: AP

Edhe në vitin 2010 zhvillohen dy samite, njëri në fund të qershorit në Toronto, metropoli kanadez, dhe tjetri në nëntor në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Megjithatë dinamika e shpëtimtarëve të botës duket e paralizuar: Ekonomia botërore e ka marrë veten, Gjermania p.sh. e ka kaluar shpejt recesionin e saj të rëndë dhe sërish shkëlqen me kuota të mira rritjeje. Por kjo nxit grindjen lidhur me modelin e duhur ekonomik. Të kursesh më shumë, apo më mirë të kesh më shumë programe koniunkturore? Në Toronto kancelarja ia del mbanë: "Plani kohor, deri në vitin 2013 të përgjysmohet deficit në vendet industriale, është një strategji e qartë e daljes nga kriza. Ne po heqim dorë prej programeve koniunkturore, prej të cilave kemi bërë më shumë borxhe dhe si vend industrial do t'i përgjysmojmë borxhet deri në vitin 2013. Ky është një objektiv mjaft ambicioz - por e them me sinqeritet, është më shumë nga sa prisja, sepseobjektivi është mjaft specifik. E përderisa në përgjithësi kjo pranohet nga vendet e industrializuara, atëherë ky është një sukses."

Jo përsëritje e gabimit të dikurshëm: Rënies në proteksionizëm

Ndonëse reforma e tregjeve financiare ecën përpara, lobi i fuqishëm i bankave si në SHBA edhe në Evropë pengon rregullimin e rreptë të këtij sistemi. Çështja më e rëndësishme mbetet e pazgjidhur edhe sot: Si mund të parandalohet, zmadhimi i një banke, e cila në rastin e një falimentimi tërheq pas vetes në humnerë të gjithë botën e financave? Por sidoqoftë në Seul, ku për herë të parë zhvillohet një samit i G-20 në një vend në ekspansion industrial, Angela Merkel është e sigurtë, që gjithçka e ka bërë si duhet: "Ne gjatë luftimit të kësaj krize shumë gjëra i kemi bërë më mirë, nga sa është bërë gjatë krizës ekonomike botërore në vitet 1930. Ne kemi vendosur një kuadër rendi, ne kemi hartuar paketa koniunkturore dhe nuk kemi nisur të kursejmë shumë shpejt. Tani varet shumë nga ajo që ne të mos e përsërisim gabimin e bërë dikur: pra të mos biem në proteksionizëm. "

Deutschland Finanzkrise Euro Angela Merkel Regierungserklärung im Bundestag
Kancelarja gjermane Angela MerkelFotografi: dapd

Por po ndodh ndryshe. Nuk është problem proteksionizmi. Problemi janë Greqia, Portugalia, Irlanda, e madje edhe Spanja e Italia. Fjala e zymtë falimentim shteti po qarkullon anëembanë. Po krijohen ombrella shpëtimi dhe me ngut ato po zmadhohen. Kriza e borxheve po shpalos pasojat e saj të rënda. Në të vërtetë në samitin e Kanës duhej të diskutohej për reformën e sistemit monetar, dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy donte t'u priste rrugën spekulantëve të lëndëve të para. Kjo me sa duket s'do të ndodhë. Bëhet fjalë për çështje shumë më madhore. Edhe pas vendimeve të fundit të evropianëve çështja që shtrohet është: A do të mbijetojë eurozona? Dhe a ka një të ardhme G-20?

Autor: Henrik Böhme / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi:Esat Ahmeti