Në pranverën e vitit të ardhshëm Kosova pritet të jetë anëtare me të drejta të plota e FMN-së dhe e Bankës Botërore
24 Tetor 2008Kosova shumë shpejtë do të jetë anëtare e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë. Kështu të paktën mendojnë udhëheqësit politikë kosovarë. Ka më shumë se tre muaj që qeveria e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Përgjigje akoma nuk ka, mirëpo zyrtarët e këtyre mekanizmave financiarë kanë thënë se kërkesa e Kosovës është duke u shqyrtuar.
Në takimet e vjeshtës që zhvillon FMN-ja u ftua edhe Kosova qe të jetë pjesmarrëse, mirëpo vetëm në cilësinë vëzhguese. Në këtë takim, i cili këtë javë u zhvillua në Uashington, të pranishëm ishin ministri i Financave Ahmet Shala dhe guvernatori i Bankës Qëndrore, Hashim Rexhepi.
Ministri Shala, thotë se në pranverën e vitit të ardhshëm Kosova do t'i gëzohet lajmit se është pranuar si anëtare në FMN. Mirëpo, anëtarësimi në këtë mekanizëm nënkupton që Kosova duhet të shlyejë të gjitha borxhet që ka që nga Kosova e ish-Jugosllavisë. Qeveria për këtë çështje ka ndarë një shumë të hollash, mirëpo shumica e borxheve do të kthehen nga donatorët.
"Kosova mbështetet tek donatorët e fuqishëm botërorë, të cilët tashmë kanë filluar të derdhin mjetet e tyre. Janë shembull SHBA-të të cilat kanë derdhur 125 milionë dollarë në Bankën Botërore. Të gjitha këto janë vetëm për të shlyer borxhet që ka Kosova ndaj Bankës Botërore. Ne presim edhe nga Komisioni Evropian që të na ndihmjë në këtë drejtim," - thotë ministri Shala.
Anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, sipas guvernatorit të Bankës Qëndrore Hashim Rexhepi, do të ndikojë pozitivisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.
"Anëtarësimi i Kosovës në këto mekanizma financiarë ndërkombëtarë automatikisht e rrit besueshmërinë për investitorët potencialë. Pra, pesha e anëtarësimit është e shumëfishtë, sepse padyshim besueshmëria tek investitorët nënkupton edhe mundësi për zhvillimin ekonomik", thotë Hashim Rexhepi.
Qeveria thotë se procedurat e anëtarësimit në mekanizmat finaciarë ndërkombëtarë janë në rrugë të mirë, Kosova do të përfitojë fonde, mirëpo analistët nuk e bëjnë kaq të lehtë anëtarësimin dhe përfitimin që ka Kosova. Ata thonë se marrja e fondeve varet krejt nga fuqia ekonomike që ka Kosova për t'i kthyer ato borxhe. Faktor tjetër i vështirë për anëtarësim sipas ekpertëve është edhe fakti që Kosova ka mungesë të dhënash mbi ciklet ekonomike të zhvillimeve gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa problem i madh do të jetë sidomos periudha kur në Kosovë ka ekzistuar sistemi paralel që e bënë të pamundur mbledhjen e të dhënave mbi ciklet e zhvillimit ekonomik të vendit.