1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në sipërfaqen e planetit Mars ka pasur dikur ujë

Georg Schwarte3 Mars 2004

NASA është thuajse e sigurt, që në sipërfaqen e planetit Mars dikur ka pasur ujë. E madje në sasi aq të mëdha sa duhet të ketë mjaftuar edhe për të pasur jetë. Këto të dhëna i ka përcjellë tek studiuesit sonda kozmike Mars-Rover-Opportunity, e cila ka mëse katër javë që gërmon, mbledh dhe analizon të dhëna në një krater të vogël në këtë planet.

https://p.dw.com/p/ArTr
Fotografi e marrë nga sonda Rover Opportunity që dëshmon praninë e ujit në planetin Mars
Fotografi e marrë nga sonda Rover Opportunity që dëshmon praninë e ujit në planetin MarsFotografi: AP


A ka pasur ujë dhe jetë në planetin Mars? Detyrën për t'ju përgjigjur kësaj pyetje e moren persiper shkencetaret e projektit te sondes koszmike Mars-Rover-Opportunity, ku marin pjesë edhe disa shkencëtarë gjermanë, specialistë të kimisë inorganike dhe analitike. Në konferencën për shtyp ku u paraqitën të dhënat e fundit që kishte mbledhur sonda kozmike, zëdhënësi i NASE-s lavdëroi edhe punën e shkencëtarëve gjermanë.

"U zgjova sot dhe konstatova se NASA dhe partnerët e saj ndërkombëtarë në Gjermani i bënë ëndërrat realitet" - kështu u shpreh Ed Uajler, një prej ekspertëve kryesorë të NASE-s për studimet kozmike.

Pesë javë me radhë grupi i shkencëtarëve kishte pritur me ethe dhe me shpresë, se çdo të ndodhte me sondën kozmike e cila kishte arritur të ulej me sukses në sipërfaqen e planetit të kuq. Prej një distance prej 500 milionë km. sonda dërgoi në tokë fotografi, analiza të gurëve dhe tö shtresave tokësore si dhe prova kimike. Shkencëtarët i bashkuan, krahasuan dhe vlerësuan të gjitha të dhënat për të arritur në një përfundim sensacional: gurët dhe shkëmbijtë në fjalë kanë qënë dikur të mbuluar me ujë.


Ka kohë që shkencëtarët mendojnë se në Mars ka pasur ujë. Por për herë të parë kjo gjë u provua përmes analizave të bëra në sipërfaqen e këtij planeti. Këto analiza u bënë të mundura edhe falë instrumentave matës të studiuesve gjermanë nga Universiteti i Maincit dhe Instituti Maks-Plank.

"Gëzohem veçanërisht që këtu janë sot edhe kolegtë e mi gjermanë, Gustav Klingenhofer dhe Ralf Gellert, për arsye se instrumentat e tyre kanë luajtur një rol shumë thelbësor për arritjen e këtyre përfundimeve." - tha Uajler.

Studiuesit mendojnë se sasia e ujit që ka qenë dikur e pranishme në planetin Mars do të kishte mjaftuar që edhe aty të lindte jeta si në Tokë. Por prej të dhënave të deritanishme nuk ka mundur të sqarohet nëse në Mars ka pasur vërtet dikur jetë. Sonda kozmike Opportunity, e cila funksionon si një robot, mblodhi kapione dheu dhe gurësh në sipërfaqen e Marsit, i fotografoi dhe analizoi ato si të ishte një gjeolog. Në përbërjen e gurëve dhe tö shkëmbinjve të Marsit u hetuan përqëndrime të mëdha kripe dhe mineralesh të tjera, formacione këto të cilat ka mundësi të lindin vetëm kur këto kripëra kanë qenë të tretura në ujë dhe janë ngurtësuar pas avullimit të tij.

Shkencëtarët shpresojnë që robotët-sondë që kanë zbarkuar në Mars do të jenë në gjendje të shkojnë edhe në zona të tjera për të mbledhur dhe analizuar prova. Gjithsesi ende nuk dihet nëse kapaciteti i tyre do të jetë i mjaftueshëm për të vazhduar këtë mision.

E pra deri tani ajo që mund të thuhet me një lloj sigurie është se në Mars ka pasur ujë. Por deri në ç'periudhë ka pasur ujë në Mars, kjo mbetet e paqartë. Për të bërë analiza të tilla studiuesve u duhen kapione nga gurët dhe shkëmbinjtë e Marsit që të mund t'i analizojnë në laboratore speciale.

"Më në fund kemi kampione nga Marsi që do të deshim t'i kishim sa më shpejt në dorë për t'i analizuar këtu në tokë" - thotë një prej shkencëtarëve.

Të nxitur edhe prej presidentit amerikan dhe planeve të tij për hapsirën kozimike, NASA po punon për projektimin e një sonde të re e cila do të jetë në gjendje që përmes robotit të mbledhë kampione në Mars dhe t'i sjellë ato më pas në Tokë. Por kjo gjë nuk është punë muajsh, por vitesh."