1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Vjenë do të debatohet numri i komunave dhe Mitrovica

Bahri Cani15 Shtator 2006

Sot në Vjenë delegacionet serbe dhe shqiptare do të bisedojnë për decentralizimin e pushtetit në Kosovë, numrin e komunave të reja me shumicë serbe dhe çështjen e Mitrovicës

https://p.dw.com/p/AqbP

Decentralizimi i pushtetit në Kosovë mbetet një prej çështjeve më kontestueseve në bisedimet teknike kosovaro - serbe në Vjenë. Kështu do të jetë edhe të premten, sepse dallimet mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, për numrin e komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë, janë ende shumë të mëdha.

Në fillim Beogradi kërkonte 18 komuna të reja me shumicë serbe, ndërsa Prishtina ofronte tri. Tani pala serbe ka reduktuar kërkesën, dhe sugjeron që pesë komunave të tanishme t'u shtohet edhe 12 komuna të reja. Ndërkohë që delegacioni i Prishtinës a ka ofruar formulën 5 plus. Mirëpo kompromisi përfundimtar duket shumë pak i mundur, që dëshmon edhe ecuria e raundit të fundit, ku u debatua për kompetencat e komunave.

Udhëheqësi i delegacionit kosovar Lutfi Haziri thotë se Beogradi është kthyer në pozicionet që ka pasur në fillim të bisedimeve. Sipas tij, qëllimi është ndarja e qytetarëve të Kosovës në baza etnike. "Ka dallime në parimet themelore që cënojnë Kosovën pas caktimit të statusit të saj. Duhet saktësuar të gjitha të drejtat dhe kompetencat. Beogradi synon të kamuflojë qëllimin për ndarjen e qytetarëve në baza etnike", pohon Lutfi Haziri.

Ndërsa udhëheqësi i delegacionit serb, Sllobodan Samarxhiq, kundërshton qëndrimin e Prishtinës që të gjitha komunat të kenë të drejtat e barabarta. Beogradi është i interesuar që komunat me shumicë serbe të kenë të drejta të posaçme. Samarxhiq akuzon palën tjetër për dështimin e raundit të fundit. "Pala shqiptare ka bërë përpjekje që në rend dite t'i kthejë disa çështje që i kemi debatuar në pranverë. Para së gjithash kur është fjala për lidhjet me Beogradin, financimin dhe bashkëpunimin e këtyre komunave me Serbinë", thotë Samarxhiq duke shtuar se Prishtina kërkon që bisedimet të përfundojnë sa më shpejt.

Cila ëshët strategjia e Beogradit?

"E tërë strategjia jonë ishte që të bisedohet gjatë, detajisht dhe seriozisht për të gjitha çështjet e decentralizimit. Çështja e decentralizimit është e ndërlikuar dhe e ngarkuar me çështje të tjera politike. Takimi më i rëndësishëm do të jetë ai në Këshillin e Sigurimit, ku Marti Ahtisari me 22 të këtij muaji do të raportojë për ecurinë e bisedimeve të deritanishme", thotë Samarxhiq.

Mosmarrveshje shumë të mëdha mes palëve ka edhe sa i përket qytetit të ndarë të Mitrovicës. Pala serbe kërkon që pjesa veriore e Mitrovicës të jetë komunë më vete, ose që t'i bashkohet Zveçanit. Ndërkohë që delegacioni i Kosovës sugjeron që pjesa veriore mund të bëhet komunë, por vetëm në kuadër të qytetit të përbashkët.

Për çfarë formule është fjala, shpjegon zëvendëskryeministri Lutfi Haziri: "Formula e vetme që siguron integrrimin dhe interesat e të gjithë qytetarëve është dy komuna një qytet. Mitrovica duhet të integrohet, sepse nuk mund të lejojmë shkëputjen e qytetarëve shqiptarë dhe cënimin e interesave të qytetarëve", pohon Lutfi Haziri.

Raundi i ri i bisedimeve për decentralizimin fillon të premten në mëngjes dhe do të përfundojë pasdite, kur ndërmjetësuesi Albert Rohan dhe përfaqësuesit e të dy delegacioneve do të mbajnë konferenca për shtyp.