1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Vjenë dështuan bisedimet për decentralizimin e pushtetit

Bahri Cani15 Shtator 2006

Në Vjenë përfunduan pa sukses bisedimet kosovaro - serbe, për reformën e pushtetit lokal. Në rend dite ishin numri i komunave të reja me shumicë serbe dhe ardhmëria e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Ndërmjetësuesi dhe palët konfirmuan se në bisedimet e djeshme nuk u shënua ndonjë përparim serioz.

https://p.dw.com/p/AqbM
Fotografi: AP

"Edhe dhjetë vjet mund të vazhdojmë kështu, dhe nuk do të arrihet asgjë!" Ishte ky konkludimi i diplomatit austriak Albert Rohan, ndërmjetësuesit kryesor në bisedimet e Vjenës, kushtuar reformës së pushtetit lokal në Kosovë. Rohan tha se palët kanë mbetur në pozicionet e veta, duke shtuar se ata kanë mandatin e Grupit të Kontaktit, që çështja e Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti. Elementi i vetëm pozitiv i bisedimeve të djeshme ishte heqja dorë e palës serbe për krijimin e komunës së Gazimestanit. Ndërkohë që delegacioni i Prishtinës, ka realizuar premtimin e dhënë ndërmjetësuesit kryesor për çështjen e statusit, Marti Ahtisari, që të pranojë krijimin e pesë komunave të reja dhe zgjërimin e dy komunave ekzistuese.
Deri më tani pranohej vetëm formula "pesë plus", që nënkuptonte zgjërimin vetëm të një komune. Në të gjitha aspektet tjera, palët kanë këmbëngulur në qëndrimet e mëparshme. Pala serbe kërkonte që në Kosovë të krijohen 12 komuna. Udhëheqësi i delegacionit serb, Sllobodan Samarxhiq pohonte se: "rreth këtyre kërkesave nuk do të ketë tregti."

Megjithë dështimin edhe të këtij raundi dhe konkludimit të Rohan se palët edhe dhjetë vjet nuk mund të merren vesh mes vete, Samarxhiq kërkoi vazhdimin e bisedimeve. Ai shpreson gjetjen e ndonjë kompromisi që do të përmirësonte edhe më tej pozitën e serbëve në Kosovë. Ndërsa udhëheqësi i delegacionit të Prishtinës, Lutfi Haziri tha se delegacioni i Kosvoës, duhet t'i mbetet besnik parimeve të mëparshme, me shpjegimin se: "Aktualisht në Kosovë ekzistojnë pesë komuna me shumicë serbe. Eshtë ofruar krijimi edhe i pesë komunave të tjera, që do të thotë se do të bëhen 10. Ndërkohë që shumica shqiptare ka gjiithësejt 20 komuna. Në shtetin e pavarur të Kosovës, komunat duhet të jenë funksionale dhe stabile."

Zëvëndëskryministri i Kosovës akuzoi palën serbe për dështimin e këtyre bisedimeve, me shpjegimin se tërë ditën ka insistuar në krijimin e komunave për kthimin e serbëve, gjë që nuk është në përputhje as me standardet evropiane. "Të papranueshme për ne janë edhe koridoret e propozuara mes komunave serbe, sepse ata edhe tani e gëzojnë lirinë e plotë të lëvizjes" theksoi Haziri.
Pala kosovare dhe ajo serbe kanë dëshmuar edhe para një jave, në bisedimet për kompetencat e komunave të reja, se nuk janë të gatëshme për kompromise. Gatishmëri për marrveshje nuk ekziston as për çështjen e Mitrovicës. Pala kosovare propozon formulën "dy komuna dhe një qytet". Ndërsa pala serbe është e mendimit se zgjidhja e vetme është, që pjesa veriore e Mitrovicës të bëhet komunë më vete dhe t'i bashkohet Zveçanit. Anëtari i delegacionit kosovar, Blerim Shala ishte i mendimit se janë shterruar të gjitha mundësitë e bisedimeve për çështjet teknike dhe se ka ardhur koha për hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar. Me 22 shtator, ndërmejtësuesi kryesor Marti Ahtisari, do të raportojë në KS të OKB për ecurinë e bisedimeve. Shikuar nga zhvillimet e deritanishme, ai do të konstatojë se palët nuk janë të gatshme për kompromis e ndoshta do të emrojë edhe fajtorët për këtë gjendje. Një qarqet diplomatike nuk përjashtohet mundësia që Ahtisari të prezantojë në vija të trasha edhe sugjerimet për statusin përfundimtar.