Në Vjenë filloi raundi i ri i bisedimeve shqiptaro-serbe
21 Shkurt 2007"Ideja e organizimit të këtij raundi diskutimesh është që palët të njihen me dokumentin sepse është e rëndësishme që ne të bisedojmë për plotësimin e tij dhe të mësojmë nëse palët do të bien dakord për ndonjë pikë ndonëse tani nuk është momenti për këtë ne do t'i marrim në konsideratë ato".
Kështu u shpreh sot në prag të fillimit të raundit të ri të negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit, kryengociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Ashtu siç ishte parashikuar, bisedimet filluan në orën 10 në Qendrën Ndërkombëtare 'Austria' dhe po ndërmjetësohen nga vet zoti Ahtisaari, zëvendësi i tij Albert Rohan, pastaj përfaqësues të BE-së, SHBA-së dhe NATO-s.
Udhëheqësi i ekipit negociator të Kosovës, Veton Surroi në prag të takimit sqaroi se pakoja e Ahtisarit nuk do të ndryshoj në aspektin substancial. Sipas tij ndryshimet dhe sqarimet që mund të kërkoj pala kosovare janë të nivelit teknik:"...Ajo çfarë presim tani është që ne t'i japim konturat e fundit këtij dokumenti. Delegacioni ynë nuk ka ardhur këtu që të ndërroj strukturën e pakos, ne e pranojmë pakon e zotit Ahtisari. Ne kemi ardhur vetëm të japim disa sqarime shtesë nëse është e mundur", sqaroi Surroi.
Ndërkaq koordinatori i ekipit negociator serb, Slobodan Samarxhiq nënvizoi se delegacioni serb pret një procedurë korrekte në bisedime: "Ky është fillimi i bisedimeve që do të zgjasin shtatë-tetë ditë. Andaj ne jemi të gatshëm dhe presim procedurë korrekte në bisedimet për pikat që janë në rend të ditës", tha Samarxhiq.
Në Vjenë në ekipin negociator sern ndodhet edhe këshilltari i presidentit serb Boris Tadiq, Leon Koen. Sipas tij pala serbe do të angazhohet për ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë: "Ne do të përqëndrohemi para së gjithash në pikat relevante të propozimit të tij ku vihet në pikëpyetje sovraniteti dhe integriteti i vendit tonë", sqaroi Koen.
I pyetur për mundësinë që Rusia të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit kundër propozimit të Ahtisarit për statusin e Kosovës, anëtari i Ekipit negociator të Kosovës Veton Surroi theksoi: "Ne kemi obligim ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të qartësuar pozitën tonë. Kemi një vit që kemi negociuar me zotin Ahtisari dhe ekipin e tij dhe ne nuk besojmë që jemi në gjendje që të bindim ndonjë vend të caktuar. Mendoj se kjo të fuqitë në Grupin e Kontaktit duhet të jenë ato që do të marrin një vendim mes tyre", tha Surroi.
Bisedimet që filluan sot në Vjenë dhe pritet të përfundojnë me 2 mars janë cilësuar më tepër si bisedime konsultative dhe teknike. Ndërkohë ende nuk është konfirmuar mbajtja e një takimi të nivelit të lartë, që është parashikuar të mbahet më 10 mars.