Në Vjenë po zhvillohet raundi i tetë i bisedimeve
7 Gusht 2006Ndërmjetësuesi special për statusin e Kosovës Marti Ahtisari dhe bashkëpunëtorët e tij kanë parashikuar një program të ngjeshur aktivitetesh, që do të zhvillohen në muajin gusht. Vetëm për çështjen e decentralizimit të pushtetit në Kosovë, gjatë këtij muaji do të zhvillohen tri takime. Sot po debatohet për kompetencat e komunave të reja me shumicë serbe. Më vonë do të flitet për financimin e tyre dhe më në fund për numrin e komunave të reja me shumicë serbe, ku dallimet ende janë shumë të mëdha.
Pala serbe ka kërkuar krijimin e 12 komunave të reja, ndërsa Prishtina ka propozuar formulën 5 plus, që do të thotë pesë komuna të reja dhe zgjerimin e një komune ekzistuese. Megjithatë, që në takimin e sotëm kushtuar kompetencave do të shihet nëse palët janë të gatshme për kompromise të mëtejme. Udhëheqësi i delegacionit kosovar në bisedimet për decentralizimin, zëvendëskryeministri Lutfi Haziri konfirmoi se sot do të bisedohet për kompetencat e komunave, shkollimin e mesëm dhe të lartë në gjuhën serbe.
"Besojmë se pozicionet tona janë shumë të afërta me ato të presidentit Marti Ahtisari. Pozicionet tona bazohen mbi dy dokumente të rëndësishme: Kartën Evropiane për qeverisjen lokale dhe Konventën e Madridit për bashkëpunim me vendet tjera. Këto dokumente vlejnë për të gjitha shtetet evropiane. Si të tilla do të implementohen edhe në Kosovë", theksoi Lutfi Haziri. Zëvendëskryeministri i Kosovës shpreson se bisedimet e ardhshme për decentralizimin do të jenë të suksesshme, me synim që "në shtator të bisedohet për pavarësinë e Kosovës".
Delegacionin serb në Vjenë po e udhëheq këshilltari i presidentit Boris Tadiq, Leon Kojen. Ai tha se prej bisedimeve të sotme varet edhe perspektiva e bisedimeve kushtuar decentralizimit të pushtetit. Sa i përket qëndrimit serb për të drejtat e komunave, Kojen pohon se ai është shumë i qartë.
"Kur flitet për kompetencat në shkollim, shëndetësi, çështjet sociale, kulturë, polici dhe sistemin e drejtësisë, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare e dinë se ne nuk do të heqim dorë nga kërkesat tona të paraqitura më parë. Pala tjetër nuk ka paraqitur asnjë argument kundër këtyre kërkesave. Prandaj presim që shumica e këtyre kërkesave të pranohen", theksoi udhëheqësi i delegacionit serb. Beogradi zyrtar kërkon që vendimet për këto lëmi të merren në nivelin e pushtetit lokal. Poashtu kërkohet edhe ndërlidhja horizontale e komunave me shumicë serbe dhe lidhja vertikale e tyre me Beogradin.
Delegacioni kosovar është i mendimit se për të gjitha çështjet e rëndësishme, që kanë të bëjnë me funksionimin e ardhshëm të Kosovës, vendimet duhet të merren në nivelin qendror, në Prishtinë. Ndërkohë që ka refuzuar lidhjet horizontale të komunave të reja dhe lidhjet vertikale me Serbinë. Me shumë rëndësi në këtë mes do të jetë edhe qëndrimi i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët ende nuk kanë paraqitur qëndrimet e tyre të prera.
Megjithatë, përfaqësuesit e Beogradit thonë se për shumë çështje janë arritur marrëveshje. Kojen shpreson që sot të arrihet marrëveshje edhe për pesë - gjashtë çështje të tjera të rëndësishme, që kanë të bëjnë me detyrat dhe të drejtat e komunave. Takimi i sotëm nuk është i drejtëpërdrejtë. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare fillimisht po bisedojnë ndaras me delegacionit, ndërsa pasdite pritet të vazhdojnë punën të gjithë së bashku.