Obama kërcënon Sirinë me ndërhyrje ushtarake
21 Gusht 2012Presidenti amerikan Barak Obama ka kërcënuar Sirinë me ndërhyrje ushtarake nëse qeveria e pushtetmbajtësit Bashar al-Assad do të përdorë armë kimike apo biologjike. Gjithashtu në përgatitje të një aksioni të tillë "vija e kuqe" tashmë është kaluar, tha Obama. Përdorimi apo mobilizimi i armëve kimike është një çështje që nuk ka të bëjë vetëm Sirinë, por prek edhe aleatët e SHBA në rajon, duke përfshirë këtu edhe Izraelin.
Shërbimi i fshehtë amerikan - CIA vlerëson se Siria disponon qindra litra lëndë luftarake të rrezikshme kimike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dyshojnë se ky vend ka ndihmë teknike nga Irani për prodhimin e armëve kimike.
Assad-i nuk e ka kuptuar mesazhin e bashkësisë ndërkombëtare
Obama theksoi në konferencën për shtyp që Assad ka humbur çdo legjitimitet dhe duhet të japë dorëheqjen. Bashkësia ndërkombëtare i ka dërguar atij një mesazh të qartë. "Deri më tani ai nuk e ka kuptuar këtë mesazh", tha presidenti amerikan.
Ndërkaq ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shpreh bindjen se ka vende që ushtrojnë ndikimin e tyre si ndaj Damaskut ashtu dhe ndaj njësive të armatosura të opozitës. Prandaj, të gjithë ata që duan një sukses të procesit politik në Siri, duhet të veprojnë së bashku. "Duhet të arrihet një marrëveshje. Vazhdimi i luftimeve mund ta çojë në një katastrofë jo vetëm Sirinë por edhe tërë rajonin", tha kreu i diplomacisë ruse për të shtuar se: "Pavarësisht se si filloi e gjithë kjo, gjëja më e rëndësishme tani është zgjidhja e konfliktit të armatosur. Çdo ide tjetër do të thotë që autorët e tyre janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe më shumë jetë njerëzish në mënyrë që të arrijnë qëllimet e tyre."