200511 Obama Europa
22 Maj 2011"Unë mendoj se në shtatë apo tetë vitet e fundit janë krijuar shumë tensione midis SHBA dhe Evropës. Një nga synimet e qeverisë time është rinovimi i aleancës historike."
Këto kanë qenë fjalët e presidentit amerikan në vitin 2009. Në vitin e parë të mbajtjes së postit ai ishte gjashtë herë në Evropë. Pavarësisht ku qëndroi, në Berlin, Pragë apo Bruksel, ai u prit me entuziazëm të madh. Por ndërkohë, ish mbajtësi i shpresave ka zbritur në tokë, është kthyer në jetën politike, jo vetëm në SHBA. Edhe në marrëdhëniet me partnerët evropiane, renaissance e shpresuar e marrëdhënieve të privilegjuara nuk është realizuar deri tani.
Werner Weidenfeld, profesor për politikë në Universitetin e Mynihut dhe vëzhgues disavjeçar i partneritetit transatlantik: "Përpjekja e kthimit të marrëdhënive siç kanë qenë më parë, një aleance strategjike, një partneritet strategjik për të gjitha çështjet e politikës botërore, kërkon shumë më tepër fuqi dhe angazhim, se sa kanë dhënë amerikanët dhe evropianët deri tani."
Megjithëse nga të dyja anët e Atlantikut, bëhen premtime për këtë aleancë strategjike gati në të gjitha temat globale. Kështu deklaroi në kuadër të këtij udhëtimi të Obamës, ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton: "Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë partnerë. Ne punojmë pothuajse në të gjitha temat globale dhe mundësisht në të gjitha konfliktet rajonale. Ne bashkëpunojmë në të gjitha çështjet e domosdoshme, të rëndësishme dhe afatgjata mbi bazën e një bashkimi transatlantik, i cili mbështetet në të njëjtat vlera demokratike dhe në besimin e mundësive të pakufizuara të individit."
Kjo përzierje e llogarive pragmatike dhe idealeve të "ëndërrës amerikane", nuk përputhet gjithnjë me pozicionet amerikane. Këtë e tregoi edhe kriza e fundit në Libi. Kur Gjermania nuk dha në Këshillin e Sigurimit të KB votën për rezolutën për Libinë, SHBA nuk e priste dhe gjeti zgjidhje me një mënyrë tjetër.
Por, edhe në misionin e Afganistanit dallohen deri më sot mënyra të ndryshme trajtimi, thotë studiuesi i shkencave politike, Weidenfeld: "Të dy partnerët, si evropianët ashtu edhe amerikanët kanë deficite në lidhje me Afganistanin. Amerikanët kuptojnë pak nga shoqëria civile dhe evropianët preferojnë t`ia lenë amerikanëve aparatin e forcës. Kjo është një divergjencë tipike kulturore midis dy kontinenteve."
Obama, nuk ka pranuar ngarkesat ideologjike të viteve të Bushit. Objektivi i luftës në Afganistan nuk është më ndërtimi i demokracisë, por krijimi i një gjendjeje në të cilën Al Kaida të mos bëjë më plane për sulme terroriste. Ngritja e shoqërisë civile, për shembull që të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë, nuk është më synim. Ndërkohë flitet për tërheqjen e trupave dhe përgatitjen e bisedimeve të paqes me talibanët, të cilët mund të ulen në tavolinën e bisedimeve në konferencën për Afganistanit që do të zhvillohet në muajin dhjetor 2001 në Bon.
Nga të dyja anët e Atlantikut, dihet se ndryshimet në botën arabe, janë duke u afruar gjithnjë e më shumë me qendrën e konfliktit në Lindjen e Mesme, me Izraelin. Me fjalimin e tij për Lindjen e Mesme, Obama u përpoq ditën e enjte (19.5.) t`i japë një perspektivë njerëzve në botën arabe. Konflikti në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe palestinezëve, është bërë edhe më solid në kohën e presidencës së tij.
Vizita e Obamës tek evropianët vjen në një moment, kur e ardhmja e Bashkimit Evropian është gërshetuar me shumë pikëpyetje, për shkak të krizës së borxheve të disa vendeve. Presidenti amerikan ka hequr dorë nga qëndrimi në Bruksel, qendra e Bashkimit Evropian.
Obama nuk do të qëndrojë as në Gjermani. Megjithatë Obama do të ketë mundësi të mjaftueshme të flasë më Angela Merkelin, gjatë takimit të G-8 në Deauville dhe gjatë vizitës së saj në Uashington në fillim të muajit qershor.
Autor: Daniel Scheschkewitz/ Aida Cama
Redaktoi: Mimoza Cika- Kelmendi