1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinion: Kur dëshira për fitim e gllabëron moralin

11 Mars 2021

E ashtuquajtura "afera e maskave", me të cilën u pasuruan dy deputetë konservatorë mund të dëmtojë rëndë CDU e CSU këtë vit zgjedhor. Në kohë krize deputetët humbasin kapitalin më të madh, besimin, mendon Volker Witting.

https://p.dw.com/p/3qQVC
China Urumqi Masken-Fabrik
Fotografi: VCG/imago images

Në kohë krize njerëzit mbajnë shpresën tek politika. Muajt e kaluar ishin muaj të lodhshëm pandemie, dhe njerëzit i besuan politikës. Për një kohë të gjatë qeveria e Merkelit nuk kishte pasur vlera të tilla kaq të larta si në vitin e kaluar. Krizat janë ora e ekzekutivit që vepron. Por këtyre vlerave të larta të simpatisë për kancelaren e kabinetin e saj mund t'u ketë ardhur tani fundi.

Prej disa javësh bien vlerat në sondazhet për menaxhimin e krizës nga politika. Kjo nuk të habit: probleme me vaksinimin, me testet, premtime të pambajtura, një kancelare që nuk vepron dot kundër kryeministrave të fuqishëm dhe tërhiqet, dhe në fund infeksione në rritje.

Pa moral

E tani edhe kjo: Deputetë të Bundestagut nga Unioni konservator, CDU/CSU mbushin xhepat me të ashtuquajturat "honorare këshillimi" 6-shifrorëshe nga biznesi i masakve. Dhe nuk duan njëherë t'i lëshojnë vendet në parlament dhe në parti. Vetëm presioni i madh bëri që politikanët e dyshuar, Nikolas Löbel, CDU dhe Georg Nüßlein, CSU të dorëzohen. Pas disa ditësh.

Me gjasa këto dy raste janë vetëm maja e ajsbergut të korrupsionit. Dhe me gjasë nuk kanë bërë vetëm konservatorët pazare të pista nën dorë me biznesin miliardësh të Coronës. Javët e ardhshme do e ndriçojnë më shumë këtë.

Löbel dhe Nüßlein i kanë sjellë shumë telashe politikës. Ata kanë përdorur nevojën e momentit për të fituar para me kontaktet që ata kanë si parlamentarë. Kjo nuk është vetëm e shëmtuar: ajo shkatërron edhe besimin tek politika. Dhe forcon ata, që sidomos në krizën e Coronës kanë thënë: Ata atje lart bëjnë vetëm pazare të pista! Partia populiste, AfD dhe mohuesit e Coronës do të marrin hov dhe demokratët e vërtetë një goditje. Shumë faleminderit Georg Nüßlein dhe Nikolas Löbel!

Kthesë në krizën e Coronës?

Witting Volker Kommentarbild App
Volker Witting

Tani duhet të zbardhet shpejt dhe të vendosen sanksionet e duhura, premtojnë krerët e Unionit. Por imazhi është prishur ndërkohë. Kjo do të reflektohet edhe në kutitë e votimeve. Në fundjavën që vjen zhvillohen votimet e para në këtë vit zgjedhor në Gjermani - në Baden Vyrtemberg dhe Renani-Palatina. Që në ditët e kaluara vlerat e CDU kishin filluar të merrnin të tatëpjetën. Dhe nuk ka nevojë për ndonjë fuqi profetike, që të dish, se ky trend pas aferës së maskave do të vazhdojë.

Afera e maskave ka treguar se disa përfaqësues të popullit nuk e kanë me sa duket kompasin e duhur moral dhe nuk kanë problem të fitojnë para me nevojën e njerëzve. Kjo i ndihmon vetëm ata që përçmojnë demokracinë, nuk kanë koncepte kundër pandemisë dhe tani do ta heqin veten si instanca morale. Falë Georg Nüßlein dhe Nikolas Label!

 

Volker Witting, me syze duke pare miqësisht në drejtim të kamerës. Portret.
Volker Witting korrespondent i lartë politik