1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita polake bie dakord për koalicion qeveritar

10 Nëntor 2023

Në një gjest simbolik, të tre partnerët nënshkruan një marrëveshje për një koalicion qeveritar. E vetmja e metë: ata ende nuk kanë marrë mandatin për të formuar një qeveri.

https://p.dw.com/p/4Yg3g
Donald Tusk dhe përfaqësuesit e dy partnerëve të aleancës nënshkruajnë një dokument përpara flamujve të Polonisë dhe Bashkimit Evropian, rreth një tavoline të gjatë.
Aleanca opozitare e udhëhequr nga Donald Tusk (i dyti nga e djathta) thekson ambicien për pushtetFotografi: WOJTEK RADWANSKI/AFP

Në një gjest simbolik, të tre partnerët nënshkruan një marrëveshje për një koalicion qeveritar. E vetmja e metë: ata ende nuk kanë marrë mandatin për të formuar një qeveri. 

Gati katër javë pas zgjedhjeve parlamentare të Polonisë, aleanca fituese e tre partive opozitare ra dakord të formojë një qeveri të përbashkët. Në zgjedhjet e tetorit, Koalicioni Civil liberal-konservator (KO), i udhëhequr nga ish-presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, fitoi një shumicë të qartë në dhomën e ulët të Parlamentit, me konservatorët e Rrugës së Tretë dhe aleancën e majtë Lewica.

Në nënshkrimin publik të kontratës në Varshavë, Tusku tha se aleanca ishte gati të drejtonte menjëherë qeverinë sapo të merrte kërkesën zyrtare. "Ne ramë dakord për katër vjet punë të mirë, të vështirë dhe të bashkuar," tha 66-vjeçari.

Zëvendëspresidenti i së majtës, Robert Biedron, njoftoi se një nga masat e para që do të merrej pas ardhjes në pushtet do të ishte ligji i ri për abortin. Aktualisht, ndërprerja e shtatzënisë lejohet në Poloni vetëm në disa raste të jashtëzakonshme, për shembull në rastet e rrezikut për jetën e gruas.

"Gjykatat do të jenë të lira”

Sipas agjencisë polake të lajmeve PAP, të tre partnerët ranë dakord gjithashtu të korrigjojnë reformat e diskutueshme në drejtësi. "Gjykatat do të jenë të lira nga presioni politik, prokurori publik do të veprojë në mënyrë të pavarur dhe apolitike”, thuhet në marrëveshjen e koalicionit.

Edhe Gjykata Kushtetuese duhet të rifitojë pavarësinë. Kritikët e akuzojnë qeverinë nacional-konservatore të PiS për minimin e pavarësisë së gjykatave dhe mediave që kur erdhi në pushtet në 2015. Kjo është arsyeja pse BE ka ngrirë për Poloninë fonde, që arrijnë në shumën e rreth 110 miliardë eurove.

Andrzej Duda dhe Mateusz Morawiecki
Presidenti Andrzej Duda (majtas) i ka dhënë një mandat kryeministrit aktual Mateusz Morawiecki për të formuar një qeveri, megjithëse Morawiecki nuk është në gjendje të mbledhë një shumicë.Fotografi: JANEK SKARZYNSKI/AFP

Nën qeverinë e PiS në vitet e kaluara pati rregullisht grindje me Komisionin Evropian dhe me shtetet e tjera të BE lidhur me politikën e migrimit dhe për sundimin e ligjit. Tusku ka qenë një herë në vitet 2007-2014 kryeministër në Poloni dhe më vonë ka mbajtur postin e Presidentit të Bashkimit Evropian. Në vitin 2021 ai u rikthye në politikën polake.

Pavarësisht nga fitorja e opozitës, presidenti Andrzej Duda i besoi të hënën kryeministrit në largim Mateusz Morawiecki, nga PiS, misionin e formimit të një qeverie. Ai i ndoqi traditën e mirë parlamentare, e cila kërkon që mandatin për të formuar qeverinë ta marrë grupi më i fortë parlamentar, shpjegoi Duda për të justifikuar qasjen e tij.

PiS u bë forca vërtet forca udhëheqëse në zgjedhjet legjislative, por mori vetëm 194 mandate nga 460. Konsiderohet shumë e pamundur që kjo parti të arrijë të marrë një shumicë parlamentare me partnerë të tjerë. Partia liberal-konservatore KO, nga ana tjetër, mori 248 mandate me dy partnerët e saj të koalicionit. Të hënën është caktuar seanca konstituive e Kuvendit të ri.

 

 

aud (dw)