1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë dinte qeveria për skandalin e Volkswagenit?

Andreas Becker1 Tetor 2015

Qeveria gjermane pohon se mësoi vetëm nga skandali i VW për manipulimin e gazrave që emetohen. Kjo nuk është e saktë, thotë një organizatë ambjentaliste.

https://p.dw.com/p/1GgCX
VW Logo Symbolbild Regen
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Stratenschulte

Manipulimi i vlerave të gazrave, mosrespektimi i kufirit të oksidit të azotit në automjetet me naftë, moszbatimi i direktivave të BE-së për cilësinë e ajrit - temat me të cilat Volkswageni ka tërhequr vëmendjen, e preokupojnë prej vitesh Organizatën e Ndihmës për Ambjentin, Deutsche Umwelthilfe (DUH) . Kurse qeveria federale thotë se nuk ka ditur asgjë për këtë. Edhe të hënën (28.09.2015), Ministri gjerman i Transporteve, Alexander Dobrindt (CSU) bëri të ditur përmes zëdhënësit, se ministria e tij "mësoi fundjavën e kaluar për akuzat dhe për manipulimet që përmenden. Më parë ne nuk kemi pasur dijeni, që përdoren këto sisteme."

Por Organizata Gjermane e Ambjentit (DUH) nga ana e saj thotë se ka dëshmi që kjo nuk është e saktë. Të martën (29.09) jao publikoi "kronologjinë e gjunjëzimit të qeverisë gjermane para koncerneve automobilistike". Që para tetë vjetësh, në hapje të Ekspozitës Ndërkombëtare të Automobilëve (IAA) në shtator 2007 në Frankfurt, DUH paralajmëroi që gazrat e emetuara në praktikë janë shumë më të larta se vlerat e testeve në laborator. DUH pati treguar edhe se prodhuesit e automjeteve i manipulojnë vlerat me mekanizma të posaçëm dhe e quajti këtë "një mashtrim sistematik i konsumatorëve."

Qeveria federale e informuar prej vitit 2007?

DUH i kërkoi qeverisë federale dhe Zyrës Federale të Qarkullimit Rrugor që atëherë që t'i paraqesin hapur të gjitha raportet dhe t'i kontrollojnë më mirë gazrat që emetohen. Edhe pas vitit 2007, DUH ka tërhequr herë pas here vëmendjen për problematikën dhe i ka kërkuar qeverisë dhe autoriteteve të veprojnë, thotë drejtori ekzekutiv i DUH, Jürgen Resch.

"Ne i jemi drejtuar disa herë Ministrisë së Transportit. Para katër vjetësh ne konstatuam vlera të larta të oksidit të azotit te automjeti Volkswagen Passat me normën e gazrave Euro 6 - pra saktësisht atë që tani po i thyen zverkun Volkswagenit", tha Resch në bisedë me DW. "Reagimi i autoriteteve ishte zero".

Që prej bërjes së njohur të skandalit të Volkswagenit natyrisht që situata ka ndryshuar. Ministri i Transportit Dobrindt tha të premten (25.09.2015) në Parlament, se ka kërkuar "verifikime të rrepta" te Volkswageni dhe te prodhues të tjerë nga ekspertë të pavarur, si në teste, ashtu edhe në kushte reale të qarkullimit.

Ka humbur shumë kohë

"Tetë vjet me radhë, Ministri përkatës i Transportit ka deklaruar se kontrollimi nuk është i mundur. Brenda pak ditësh për fat ja që kjo është e mundur".

Qeveria federale nuk është shprehur deri tani konkretisht për akuzën e Organizatës ambjentaliste se ka qenë e informuar për mashtrimin me vlerat e gazeve që emetohen, po nuk ka ndërmarrë asgjë. Një pyetjeje përkatëse të DW, Ministria e Transportit iu përgjigj vetëm duke tërhequr vëmendjen në deklaratën tashmë të publikuar:" Ministria Federale e Transportit nuk ka pasur asnjë të dhënë për përdorimin ilegal të mekanizmave manipulues."