Osmani-Sadriu: Çmimi është vlerësim për popullin e Kosovës
13 Shtator 2024Ndoshta nuk ka vend më të mirë historik për të marrë një çmim vlerësimi për një kryetare shteti se sa në Kështjellën Sanssouci, qendrën e fuqisë prusiane, themeluesi i të cilit, Frederiku i Madh, hyri në histori me frazën "Unë jam shërbëtori i parë i shtetit". Kjo me siguri që i shkon edhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriut: E lindur në Mitrovicë në vitin 1982, e shkolluar në Kosovë dhe diplomuar dhe doktoruar në SHBA, ajo mund të kishte zgjedhur një karrierë më komode si shkencëtare, por vendosi të shërbente vendit të saj, që kishte më shumë nevojë. Nëse flet me qarqe diplomatike në Gjermani, Vjosa Osmani është për ta përfaqësuesja më e besueshme e Kosovës. Është ajo që ftohet në për konferenca dhe takime me krerë shtetesh, dhe që përpiqet të gjejë një balancë mes interesave të partnerëve euroatlantikë dhe interesave të popullit të saj.
Pionierë për një Evropë moderne dhe të qëndrueshme
Pikërisht për këtë "angazhim të palodhur për demokracinë dhe vlerat evropiane në Kosovë" ajo u nderua të enjten në mbrëmje, 12.09.2024, në Potsdam të Brandenburgut, së bashku me kryeministrin polak Donald Tusk, me çmimin evropian të medias M100. Kryetari i Bashkisë së Potsdamit, Mike Schubert, i cili është edhe kryetar i bordit të M100, i quajti ata "pionierë për një Evropë moderne dhe të qëndrueshme".".
Osmani-Sadriu vetë e sheh çmimin mbi të gjitha si njohje për popullin e Kosovës, siç i tha ajo Deutsche Welle-s: "Është një vlerësim i jashtëzakonshëm i luftës së gjatë dhe të vendosur të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.” Çmimi vlerëson vlerat që lidhin Kosovën me vende si Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të BE-së: "Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore që mbajnë një shtet të fortë dhe një shoqëri të qëndrueshme", theksoi ajo. Presidentja e Kosovës tha më tej se është "krenare që me nderimin e saj po nderohet edhe populli i Kosovës dhe arritjet e tij" dhe shtoi se çmimi është "një inkurajim i madh për Kosovën, që të vazhdojmë me vendosmëri për të mbrojtur këto vlera, në mënyrë që Kosova të mbetet shembull i sundimit të demokracisë dhe vlerave demokratike."
Scharping: Kosova ka luftuar pa u lëkundur për të drejtat e saj
Më parë, Rudolf Scharping, ish-ministri i mbrojtjes së Gjermanisë gjatë luftës së Kosovës, në fjalimin e tij lavdëroi cilësitë e jashtëzakonshme të Osmanit, të cilat e kualifikuan atë për këtë çmim. "Osmani, e lindur në Mitrovicë, e përjetoi luftën si fëmijë. Më vonë arriti të profilohej në SHBA, të jepte mësim atje dhe u kthye në Kosovë për t'i shërbyer vendit të saj në rrugën drejt Evropës. Ajo është një simbol i asaj që përfaqëson i gjithë populli i Kosovës", tha ai dhe shtoi. "Nuk është vetëm një njohje për presidenten, por për të gjithë popullin e Kosovës, i cili, përkundër shumë sfidave, ka luftuar pa u lëkundur për të drejtat dhe pavarësinë e tij."
Gauck: Demokratët mund të mobilizojnë shumicën
Për herë të parë çmimi iu dha dy personave: përveç Vjosa Osmani-Sadriut, edhe kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk. Në fjalimin e tij, ish-presidenti gjerman Joachim Gauck e vlerësoi fitoren e Tuskut në zgjedhjet e fundit si një sinjal të rëndësishëm. "Kjo fitore tregon se nuk është e pashmangshme që forcat populiste, ksenofobe dhe anti-evropiane të përfitojnë përgjithmonë nga frika e njerëzve." Gauck theksoi, duke pasur parasysh edhe Gjermaninë, se fitorja e Tuskut tregoi: "Demokratët mund të mobilizojnë shumicën, kur përmbushin nevojat e njerëzve për liri dhe siguri."
Ish-presidenti i Gjermanisë iu drejtua indirekt edhe votuesve të Brandenburgut, kryeqytet i të cilit është Potsdami, e ku së shpejti do të mbahen zgjedhjet më të rëndësishme parlamentare të Gjermanisë. Sipas sondazheve, partia ekstremiste e djathtë AfD mund të dalë forca e parë.
Donald Tusk nuk mundi të merrte pjesë në ndarjen e çmimeve për shkak të një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Varshavë. Në vend të tij, çmimin e mori ministri i Drejtësisë i Polonisë, Adam Bodnar. Edhe kancelari gjerman Olaf Scholz anuloi pjesëmarrjen e tij për shkak të angazhimeve të tjera.
Xharra: Çmimi është krenari për Kosovën
Çmimi M100 Media, i cili nuk shoqërohet me një shpërblim financiar, nderon personalitete të guximshme që protestojnë kundër shtypjes në vendin e tyre dhe angazhohen për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Fitues i tij ka qenë ndër të tjera edhe ish-disidenti rus, Aleksej Navalni. Ai jepet për herë të 20-të, në kuadër të Kolokiumit M100 Sanssouci, që mbledh figura të shquara nga fusha e medias, politikës, dhe shoqërisë civile për të diskutuar çështje të rëndësishme globale, si liria e shprehjes, demokracia dhe dezinformimi.
Jeta Xharra, një nga gazetaret më të njohura dhe aktivistet e shoqërisë civile në Kosovë, e cila ishte pjesëmarrëse e ftuar në forumin e medias, në një prononcim për DW shprehu keqardhjen e saj që çmimi në Kosovë nuk po merr vëmendjen që meriton. Ajo e lidh këtë pjesërisht me faktin se Vjosa Osmani-Sadriu është një grua – një gjë e rrallë në një peizazh politik dhe mediatik të dominuar nga burrat në Kosovë. Xharra theksoi se ky çmim duhet t'i bëjë kosovarët krenarë, pasi është hera e parë që vendi merr një çmim kaq të njohur. Ajo theksoi se ky sukses është ekskluzivisht falë aftësive të jashtëzakonshme të Osmanit: "Brenda vetëm tre vitesh në detyrë, ajo ka arritur të bindë botën perëndimore, përmes kompetencës, karizmës, bindjes dhe elokuencës së saj në skenën ndërkombëtare, se Kosova është në rrugën e duhur."