1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfundoi në Mynih Konferenca e Sigurisë

Andreas Noll6 Shkurt 2006

26 vendet anëtare të Natos nuk janë duke kërkuar partnerë vetëm në kufijtë e tyre por në mbarë botën. Në Konferencën e Sigurisë kancelarja gjermane Merkel quajti të arsyeshme aleancat me vendet si Japonia dhe Australia.

https://p.dw.com/p/Aqg3
Angela Merkel flet në Konferencën e 42 të politikave të sigurimit
Angela Merkel flet në Konferencën e 42 të politikave të sigurimitFotografi: AP

Edhe pse ambiciet bërthamore të Iranit nuk ishin temë zyrtare në Konferencën e sigurisë në Mynih ato ishin të pranishme gjatë tërë kohës dhe luajtën një rol me rëndësi. Të shtunën kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh për "vijën e kuqe", të cilën e ka kaluar Teherani. Në fund ministri i jashtëm gjerman Frank-Valter Stajnmajer e bëri edhe njëherë të qartë se sa i madh është për të ky rrezik.

"Zgjidhja e çështjes bërthamore të Iranit, kjo është një detyrë qendrore në të ardhmen nëse nuk duam që të furtemi në një garë të armatimit bërthamor në Lindjen e Afërme dhe të Mesme.

Pas aktivizimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bashkësia ndërkombëtare duhet të flas me një gjuhë. Stajnmajer kërkoi nga udhëheqja në Teheran që të mos eskalojë gjendjen edhe më tej. Se në rastin e Iranit për sukses mund të kujdeset vetëm paraqitja e koordinuar e bashkësisë ndërkombëtare, ishin të pajtimit përfaqësuesit e mbi 50 shteteve në konferencë. Një rol kyç në përpjekjet diplomatike për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme ka Rusia, beson kancelarja gjermane Angela Merkel.

Po ashtu edhe ministri rus i mbrojtjes Sergej Ivanov u shpreh për një bashkëpunim më të madh me Gjermaninë, Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veriatlantike NATO. Përveç kësaj:

"Si mund të flitet për bashkëpunim efektiv nëse ne nuk kemi ende një definicion unik për terrrorizmin. Sulmet ndaj ushtarëve në Irak rregullisht definohen si terrorizëm ndërkohë që aksionet e ngjashme ushtarake në Çeçeni hasin shpoesh në mirëkuptim si luftë për liri", theksoi në fjalimin e tij ministri rus i mbrojtjes Sergej Ivanov.

Por Rusia, për këtë Ivanov nuk la asnjë pikë dyshimi, edhe në të ardhmen do të jetë një partner i përgjegjshëm, korrekt dhe besnik.

26 vendet anëtare të Natos nuk janë duke kërkuar partner vetëm në kufijtë e tyre por në mbarë botën. Sfidat më të mëdha të shekullit XXI siç është terrorizmi ndërkombëtar mund të zgjidhen vetëm bashkarisht, nënvizoi në fjalimin e saj kancelarja gjermane Angela Merkel.

"Natyrisht që ne kemi nevojë për partner të sigurisë në rajonet tjera të botës. Andaj është shumë e rëndësishme që NATO të krijoj një rrjet të dendur partneritetit me vendet dhe organizatat ndërkombëtare", tha Merkel.

Japonia, Zelanda e re dhe Australia konsiderohen si kandidate për një lloj të tillë bashkëpunimi të ngushtë në tërë globin. Pjesërisht NATO është aleate me këto vende që nga misioni i Afganistanit. Por ky bashkëpunim mund të thellohet edhe më shumë. Megjithatë se si do të duket saktë ky bashkëpunim mbeti e paqartë në Mynih.

Ajo që u tha qartë në Mynih ishte se NATO edhe në të ardhmen do të ketë kufijtë e saj. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jaap de Hoop Skefer:

"NATO nuk është polic i botës".