Përfundon Festivali i Filmit në Tiranë
7 Dhjetor 2009Edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, TIFF 2009, nuk ishte vetëm një konkurim. Por dhe një axhendë e ngjeshur debatesh mes artistëve, producentëve e kritikëve. Këtë herë më shumë se në çdo edicion tjetër pati një interesim të jashtëzakonshëm për pjesëmarrje nga autorët e rreth 150 filmave me metrazh të gjatë, dhe mbi 1 mijë realizimeve me metrazh të shkurtër nga 72 vende të botës. Të drejtën e konkurimit e fituan vetëm 14 filma të gjatë dhe rreth 100 të shkurtër.
Pas 10 ditëve të prezantimit të të gjitha produksioneve juria shpalli si filmat më të mirë të TIFF 2009 atë të regjizorit spanjoll Javier Rebollo “Gruaja pa piano” dhe filmin e regjisorit grek Filipos Tsitos, “Akademia e Platos”. Regjisori më i mirë i Festivalit u shpall Gjergj Xhuvani me filmin shqiptaro – Italian “Lindje, perëndim, lindje”.
Në seksionet e TIFF 2009 konkuruan dhe filma gjermanë, si “Gjashtë pikë gjashtë” i regjisorit Fabian Kaufmann, “Destinacioni Final” i Philip Widmann, “Një ditë prilli” i Klerë Walka, produksioni gjermano - turk “Burrë mbi urë” etj.
Regjizorja nga Berlini, Silvia Schedelbauer, tha për DW se ishte mrekulluar nga prezantimi në Festival i aq shumë realizimeve nga të gjitha llojet e rrymat, mes tyre dhe filma eksperimentalë, dokumentarë etj. “Festivalet janë një ballafaqim i mjeshtërisë së autorëve të kinemasë. Një vlerësim konkret për atë që ke arritur. Por janë dhe raste shumë të favorshme për kontakte mes artistëve nga vende të ndryshme. Aty lindin ide për bashkëpunime e plane në të ardhmen,”- tha Schedelbauer, pjesëmarrëse në edicionin e shtatë të TIFF 2009.
Autor : Arben Muka
Redaktoi : Aida Cama