1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra myslimanë të konvertuar në fenë e krishterë

Charlotte Hauswedell
7 Maj 2017

Mijëra refugjatë në Gjermani janë konvertuar nga feja islame në atë të krishterë, megjithëse konvertimi përbën një rrezik për besimtarët myslimanë. Kishat e pavarura pagëzojnë mjaft prej tyre.

https://p.dw.com/p/2cWhM
Deutschland Berlin Kerzen mit Namen Taufe Flüchtlinge aus Iran
Fotografi: Imago/epd

Ai ka pagëzuar më shumë se 1200 refugjatë. Gottfried Martens është pastor i Kishës së Shën Triadhës, një Kishë e Pavarur evangjeliste-luterane në Berlin-Steglitz. Në fillim erdhën dy refugjatë nga Irani, që në vitin 2008 vizituan kishën e tij bashkë me një të njohur të tyre që donte të pagëzohej, rrëfen ai. Vitet e mëvonshme erdhën shumë refugjatë të tjerë me dëshirën për ndërrimin e fesë. Sot në kishën e tij qindra besimtarë ndjekin meshën në gjuhën gjermane dhe persisht.

Të konvertuarit janë iranianë dhe afganë të besimit islam. Disa prej tyre janë refugjatë që sapo kanë ardhur e që janë ftuar nga të krishterë të tjerë në Gjermani, por ka „edhe shumë që kanë pasur kontakt më parë me fenë e krishterë, në komunitetet e tyre në Iran, apo edhe gjatë rrugës për të ardhur në Europë", thotë Martens. "Duhet madje të ndërronim vend, sepse nuk mjaftonte hapësira e këtushme", thotë ai për Deutsche Wellen. "Dyndja më e madhe ka ardhur pas mbylljes së itinerarit ballkanik, në të ashtuquajturën krizën e refugjatëve në vitin 2015 e 2016. Asokohe kemi pasur deri në 250 vetë në kurset përgatitore të Kishës së Trinitetit", thotë pastori.

Deutschland Berlin Taufe Flüchtlinge aus Iran
Fotografi: Imago/epd

Dokumenti i pagëzimit pas tre muajsh

Të pagëzuarit me dorën e Gottfried Martens janë refugjatë, të gjithë flasin gjuhën perse ose një dialekt të saj. "Për ta kjo është e veçantë, sepse komuniteti ynë është dygjuhësh”, thotë Martens. Disa presin për vendimin e njohjes së azilit, disa kanë vetëm leje të përkohshme, të tjerë janë refuzuar. Pas kurseve zhvillohet një testim për të kuptuar arsyet e konvertimit. „Megjithatë kemi pasur mes refugjatëve edhe rreth 300 vetë të refuzuar”, thotë pastori Martens. Të tjerët u pagëzuan dhe kanë marrë dokumentin e pagëzimit.

Të 1300 të konvertuarit jetojnë në strehimoret e azilit. Pastori Martens është i gëzuar për interesimin ndaj kishës së tij. „Pas gjithë atyre që kanë parë me sy, unë jam i lumtur që ata megjithatë kanë besim në zot dhe duan të jenë pjesë e komunitetit tonë", thotë ai.

Edhe kishat e tjera si ajo evangjeliste e landeve dhe kisha katolike shënojnë rritje të numrit të pagëzimeve. Konvertimet nuk shënohen në regjistra, por „në vitet e fundit kemi rritje të dukshme të numrit të pagëzimeve mes refugjatëve", thotë Carsten Splitt nga Kisha Evangjeliste në Gjermani, (EKD) për Deutsche Wellen. Numri i pagëzimeve nga mosha 14 vjeç në kishën evangjeliste është rritur nga 17.000 vetë në vitin 2014, në 178.408 vetë në vitin 2015. Këtu nuk janë përfshirë pagëzimet e kishave të pavarura e të vetëorganizuara.

Pagëzime me rreziqe

Deutschland Berlin Taufe Flüchtlinge aus Iran
Fotografi: Imago/epd

Konvertimi në fe është me rrezik për të konvertuarit, ata janë të ekspozuar ndaj qëndrimeve armiqësore të besimit të mëparshëm. Në vendet e origjinës si Irani apo Afganistani, ata i kërcënon përndjekja, madje në raste të caktuara edhe dënimi me vdekje. Rregullisht ka pasur raportime në Gjermani për sulme ndaj të konvertuarve. Sipas pastorit, Martens, "njerëzit e tij” nuk mund të banojnë më pa u zbuluar. „Tani kemi pesë vetë që banojnë tek ne, sepse janë sulmuar në mënyrë masive", madje njërit i janë thyer dhëmbët, një tjetër ka pasur plagë të rënda, që duheshin qepur." Sipas tij autoritetet nuk reagojnë si duhet. Edhe personeli i sigurisë, shpesh është në anën e agresorëve, dhe megjithëse policia është e informuar "nuk kemi shënuar përparime në këtë drejtim”, thotë Martens. Madje të konvertuarit vijnë fshehtazi në meshë apo e fshehin kryqin, vëren pastori. Agresorët janë „myslimanë radikalë nga vende të ndryshme".

Shanse për azil?                                            

Në mediat gjermane ka pasur edhe raportime për misionim masiv në strehimoret e azilit, me premtimin për perspektivë më të mirë qëndrimi në Gjermani. Radioja gjermane Deutschlandfunk ka raportuar madje për pagëzime të rrufeshme në shtëpi nga grupime fetare sektare apo përpjekje për misionim. Por sipas Zyrës Federale të Migracionit dhe Refugjatëve, (BAMF) konvertimi është „një arsye e vetëkrijuar pas largimit nga vendi" dhe autoritetet kontrollojnë nëse konvertimi është bërë vërtet nga bindja fetare, apo nëse pas tyre fshihet një arsye taktike. „Konvertimi i azilkërkuesit merret parasysh në procesin e verifikimit të kërkesës, vetëm kur ai paraqitet me besueshmëri", tha një funksionar i BAMF. Martens nga ana e tij thekson, se ai refugjatve ua bën të qartë se konvertimi dhe pagëzimi nuk i rrisin shanset për azil, „madje edhe mund t'i përkeqësojë". Sipas tij azilkërkues të krishterë kanë marrë masivisht përgjigje negative. Disa vetë të pagëzuar prej tij madje janë dëbuar edhe nga Gjermania.