Palma e Artë për regjisorin austriak Haneke
28 Maj 2012Në përfundim të festivalit ndërkombëtar të filmit në Kanë të Francws të dielën në mbrëmje u ndanë edhe çmimet ku Palmën e Artë e fitoi regjisori austriak Michael Haneke. Filmi i tij me titull "Liebe" (Dashuri), i cili flet për historinë e një burri të përkushtuar ndaj gruas së tij në prag të vdekjes, ka mundur 21 filma të tjerë në garë. Ky është edhe çmimi i dytë i këtij niveli për artistin 70 vjeçar. Palmen e parë të Artë ai e mori para tre vitesh me filmin "Das weiße Band" (Shiriti i bardhë).
Aktorja dhe aktori më i mirë
Vendin e dytë e ka siguruar “Reality” – film satirë i regjisorit italian, Mateo Garone – ndërsa në vendin e tretë është renditur komedia “The Angels” nga Ken Loh. Si aktoret më të mira u cilësuan Cosmina Straten dhe Cristina Flur për filmin rumun "Beyond the Hills".Si aktor më i mirë mashkull u cilësua danezi Mads Mikkelsen me rolin e tij në filmin "The Hunt". Në Kanë u shënua sivjet edicioni i 65-të i filmit ndërkombëtar, që mbahet edhe si festivali më i rëndësishëm në botë.
Festivali i parë u mbajt në shtator të vitit 1946 dhe ka vazhduar - me përjashtim të viteve 1948 dhe 1950- për çdo vit. Prej vitit 1952 ky festival mbahet në muajin maj në jug të Francës. Aktorë, regjisorë dhe autorë skenaresh si dhe producentë festojnë konkurrojnë por edhe festojnë në qytetin mesdhetar të Kanës. Palma e Artë është një nga çmimet më të lakmuara në këtë fushë të artit kinematografik.
Autor: Ag/Kelmendi
Redaktoi: Lindita Arapi