1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa dënon abuzimet seksuale në kishën katolike në Irlandë

17 Shkurt 2010

Në skandalin e shfrytëzimit seksual të kishës katolike në Irlandë, Papa akuzoi për dështim peshkopët. Për vite të tëra nuk është ndërmarrë asgjë kundër këtyre akteve. Janë këto "krime të pështira", tha Papa.

https://p.dw.com/p/M45w
Papa me peshkopëtFotografi: AP

Në skandalin e shfrytëzimit seksual të kishës katolike në Irlandë, Papa Benedikt XVI i akuzoi për dështim peshkopët. Për vite të tëra nuk është ndërmarrë asgjë kundër këtyre akteve, tha Papa. Në një takim krize, ai i cilësoi ndodhitë "krime të pështira".

Katolikët e Irlandës do të marrin së shpejti postë nga Papa. Shkresa do të publikohet që në periudhën e agjërimit, dhe pas takimit dyditor me peshkopët irlandezë linja me sa duket është e qartë: shpërdorimi seksual i fëmijëve dhe të rinjve është jo vetëm një krim i pështirë, por edhe një mëkat i rëndë, tha Papa Benedikt XVI në konsultimet: "Unë isha shumë i prekur kur pashë sa i dhemb atij kjo temë. Informimi nga dorë e parë për shpërdorimin në Irlandë ka qenë për atë me sa duket veçanërisht i dhimbshëm", tha peshkopi irlandez, Denis Brenan pas takimit me Papën Benedikt XVI.

Irland Missbrauch
Ministri i Drejtësisë Dermot Ahern, do të ketë punë edhe për te?Fotografi: AP

Nga qendrimi që përcolli zëdhënësi i Vatikanit, Federiko Lombardi dëgjon jo vetëm dhimbjen e Papës. Te Benedikti me sa duket është mbledhur edhe një porcion i mirë zemërimi. Zemërim për siç u tha "dështimin shumëvjeçar të autoriteteve kishtare në Irlandë." Peshkopët i kanë injoruar për dekada të tëra viktimat e shpërdorimit seksual dhe i kanë mbuluar dorasit: "Papa i inkurajoi peshkopët për një politikë të guximshme dhe transparente. Në mënyrë që të mos ndodhë më diçka e tillë, duhen marrë masa konkrete, përsa i përket parandalimit në kishë dhe përsa i përket drejtësisë përballë viktimave."

Pranimi i gabimeve

Të Mërkurën e Përhime nis periudha e agjërimit, një kohë e pendimit dhe e reflektimit. Ja si tingëllon mea culpa, pranimi i gabimit prej të parëve të kishës irlandeze, e shqiptuar nga kardinali Sean Brady: "Po, ka pasur një gabim në organet tona drejtuese. Dhe njëra nga viktimat na tha se e vetmja rrugë për t'u bërë sërish të besueshëm është poshtërimi ynë. Dhe këtë e kemi para vetes. Tani nis periudha e agjërimit, koha e pendimit dhe ne duhet të fillojmë nga vetja."

Përsa u përket masave konkrete të kërkuara nga Benedikti, kardinali Brady tërheq vëmendjen për bashkëpunimin me organet shtetërore. Të gjithë fajtorët do të nxirren para organeve të zakonshme të drejtësisë, pa përjashtim. Dhe ai tërheq vëmendjen për masat e nisura parandaluese. Në çdo bashkësi kishtare tani ka të ngarkuar për problemet e shpërdorimit seksual, të cilët e bëjnë këtë detyrë në formë honorifike. Ata janë shkolluar në një mënyrë të tillë, që t'i mbrojnë të rinjtë dhe fëmijët nga dhuna seksuale në hapësirën kishtare.

Autor: Tilmann Kleinjung/Auron Dodi

Redaktoi: Bahri Cani