1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti gjerman pro anëtarësimit të Kroacisë në eurozonë

7 Korrik 2022

Kroacia shërben si model për rajonin e Ballkanit Perëndimor, vunë në dukje ligjvënësit gjermanë. Vetëm partia "Alternativa për Gjermaninë" ishte kundër.

https://p.dw.com/p/4DnKH
Deutschland | Debatte über Impfpflicht im Bundestag
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Bundestagu i dha dritë jeshile qeverisë gjermane të votojë pro anëtarësimit të Kroacisë në zonën e Euros. Ligjvënësit e miratuan rezolutën përkatëse të mërkurën, 6.7. në mbrëmje, me votat e tre partive të koalicionit (socialdemokratët, ekologjistët dhe liberalët) si edhe të grupit më të madh parlamentar, Unioni Kristiansocial e Kristiandemokrat, CDU/CSU dhe të majtëve, Die Linke. Vetëm Alternativa për Gjermaninë (AfD) doli kundër. Pritet që Kroacia t'i bashkohet zonës së Euros, më 1 janar të vitit 2023.

Josip Juratovic - Bundestagsabgeordneter
Josip JuratovicFotografi: Achim Melde/Deutscher Bundestag

Të punojmë së bashku për liberalizimin e vizave për Kosovën

Deputeti socialdemokrat, Josip Juratoviç, tha se anëtarësimi i Kroacisë në zonën e Euros shërben si sinjal jo vetëm për vendet fqinje të Kroacisë në Ballkanin Perëndimor. "Ai shërben edhe si një sinjal i fortë politik për qendrueshmërinë dhe atraktivitetitn e një monedhe të përbashkët".

Anton Hofreiter, nga të Gjelbrit, vuri në dukje gjithashtu rëndësinë gjeostrategjike të këtij vendimi. "Rajoni i Ballkanit Perëndimor është një rajon, ku vende autoritare dhe diktatura, si Rusia dhe Kina, përpiqen të kenë ndikim. Prandaj është në interes të të gjithëve që të bëjmë hapa përpara në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE", tha deputeti ekologjist, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit të Bundestagut për çështje të Bashkimit Evropian.

BG Deutschland neue Bundesregierung
Anton Hofreiter, Të GjelbritFotografi: Dwi Anaroganingrum/Geisler-Fotopress/picture alliance

Ai i bëri thirrje Kroacisë që të punojë në këtë drejtim  dhe kritikoi tonet nacionaliste dhe ndërhyrjen në Bosnjë-Hercegovinë. "Ne duhet të angazhohemi bashkërisht për rajonin. Të fillojmë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të angazhohemi për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe të përdorim një gjuhë më të qartë kundrejt Serbisë", tha Hofreiter.

Edhe Andreas Scheuer i Unionit Kristiansocial tha se modeli i Kroacisë është një sinjal për ato vende që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropain: "Merrni shembull nga Kroacia! Kush përmbush rregullat, kush kryen detyrat dhe reformat, nuk do të bëhet vetëm pjesë e familjes evropiane, por e të gjithës zonës së Euros  Këto janë thjesht rregullat".

Andreas Scheuer (CSU) I Amtsübergabe im Bundesverkehrsministerium
Andreas Scheuer, CSUFotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Kritikë ndaj Eurozonës

Unioni Kristiandemokrat e Kristiansocial, ndonëse në opozitë, ishte një nga bashkautorët e rezolutës që e mbështesin anëtarësimin e Kroacisë në eurozonë. Grupi parlamantar E majta, gjithashtu e miratoi rezolutën, por nuk i kurseu kritikat për politikat monetare të Bankës Qendrore Evropiane. Gökay Akbulut tha se me anëtarësimin në eurozonë, Kroacia preferon të ketë një çati mbi kokë në një ndërtesë të rezikuar nga shëmbja. Është më mirë se të të zërë përjashta shiu i borës së tregut ndërkombëtar të kapitalit".

Bundestag Gökay Akbulut
Gökay Abkulut, deputete e partisë E MajtaFotografi: picture-alliance/dpa/J. Büttner

Alternativa për Gjermaninë, AfD, ishte e vetmja parti që e kundështoi rezolutën. Partia është më e djathta në spektrin gjashtëpartiak të parlamentit gjerman, dhe si e tillë është skeptike ndaj euros. Norbert Kleinwächter, deputet nga kjo parti, tha se bashkimi monetar ka prishur mirëqënien e gjermanëve. "Dhe ju vazhdoni ta prishini atë, duke e futur edhe Kroacinë në eurozonë. Kroacia është Greqia e re, jo sepse manipulon statistikat, por sepse është Komisioni i BE-së ai që i zbukuron vetë këto statistika në raportin e konvergjencës."

Më 1 janar 2023 në eurozonë

Kroacia është anëtarja më e re Bashkimit Evropian, prej 1 korrikut 2013. Në samitin më të fundit të BE-së, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane mbështetën propozimin e Komisionit të BE-së për të futur Kroacinë në eurozonë, duke filluar nga 1 janari 2023. Kroacia përpiqet prej vitesh të zëvendësojë monedhën kombëtare, Kunën, dhe të bëhet anëtarja e 20-të e eurozonës. E fundit që shpalli monedhën euro si monedhë zyrtare, më 1 janar 2015, ishte Lituania.

Të hënën edhe Parlamenti Evropian kishte miratuar një rezolutë për anëtarësimin e Kroacisë në zonën e Euros, prej datës 1 janar 2023.  Sipas Komisionit të BE-së, Kroacia i ka miratuar të gjitha kriteret e nevojshme.  Ndër to është borxhi publik, që duhet të jetë nën 3 përqind dhe një konvergjencë e lartë çmimesh me BE-në, si edhe stabilitet i monedhës vendëse.