1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partia në pushtet në Japoni humbet shumicën në zgjedhje

28 Tetor 2024

Në zgjedhjet për Parlamentin japonez, partia në pushtet LDP e kryeministrit Shigeru Ishiba dhe partneri i saj Komeito pësuan humbje të mëdha. A do të jetë Ishiba kryeministri japonez me mandatin më të shkurtër?

https://p.dw.com/p/4mJGs
Kryeministri japonez Shigeru Ishiba flet në mikrofon pas zgjedhjeve
Disfatë elektorale për kreun e qeverisë japoneze Ishiba Fotografi: Kim Kyung-Hoon/REUTERS

Kryeministri konservator i Japonisë Shigeru Ishiba përballet me një të ardhme të pasigurt pasi koalicioni i tij qeverisës humbi shumicën në zgjedhjet për dhomën e ulët të parlamentit. Partia e tij Liberal Demokratike (LDP) e tronditur nga një skandal donacionesh dhe partneri i saj i vogël Komeito, do të mbajnë vetëm 215 nga 465 mandatet në parlament, duke humbur kështu objektivin e tyre minimal për të mbajtur të paktën shumicën. Më parë, kampi i koalicionit qeveritar qeveriste me një shumicë komode prej 288 mandatesh në dhomën e ulët të parlamentit. Ishiba tani duhet të përpiqet të gjejë partnerë të tjerë për të formuar një qeveri të qëndrueshme.

Ishiba u bë kryeministër vetëm në fillim të tetorit

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike Kushtetuese e Japonisë e ish-kryeministrit Yoshihiko Noda, e shtoi dukshëm mbështetjen, por gjithashtu nuk ka një shumicë.

Parlamenti tani duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme brenda 30 ditëve, më pas të dyja dhomat duhet të votojnë për kryeministrin. Po të zgjidhet Ishiba, ai do të formojë një kabinet të ri. Megjithatë, nëse Parlamenti zgjedh një kryeministër të ri, mandati i Ishibas do të ishte më i shkurtri në Japoninë e pasluftës, siç theksohet nga mediat japoneze pas zgjedhjeve të dhomës së ulët. Ishiba u bë kryeministri i ri i Tokios në fillim të tetorit.

Kampi opozitar në Japoni i fragmentuar

Ish-kryeministri japonez Yoshihiko Noda jep një intervistë pas zgjedhjeve
Yoshihiko Noda jep një intervistë pas zgjedhjeveFotografi: The Yomiuri Shimbun/AP/picture alliance

Nëse askush nuk merr shumicën në votimin për kryeministrin në Parlament, mund të zhvillohet një balotazh midis Ishiba dhe Nodas. Gjatë zgjedhjeve për në dhomën e ulët, partia e Nodës përfitoi kryesisht nga zemërimi i votuesve pas skandalit të donacioneve për partinë LDP. LDP-ja dhe partia e Nodës pritet të fillojnë të bisedojnë me partitë e tjera opozitare me synimin për të krijuar një koalicion apo aleancë. Kampi i opozitës në Japoni është shumë i fragmentuar.

Skandale tronditën partinë në pushtet

Menjëherë pas zgjedhjes së tij si kryetar i LDP dhe fillimit të detyrës si kryetar i qeverisë në fillim të tetorit, Ishiba shpalli zgjedhje të reja për të siguruar mbështetje për politikën e tij të reformës. Të dyja funksionet janë të lidhura ngushtë. Paraardhësi i tij, Fumio Kishida, dha dorëheqjen në gusht, pasi LDP humbi masivisht popullaritet pas një skandali të donacioneve partiake. Për më tepër, reputacioni i partisë vuajti nga inflacioni i lartë.

Ishiba, 67 vjeç, kishte bërë të ditur se donte të rigjallëronte rajonet e dobëta ekonomikisht dhe t'i përgjigjej rënies së popullsisë së Japonisë me masa miqësore për familjen, siç është orari i zhdërvjellët i punës. Ai foli gjithashtu në favor të një aleance ushtarake rajonale sipas modelit të NATO-s - por tha edhe se kjo "nuk do të ndodhte brenda natës".

aud (sti/rtr, afp, dpa, ape)