Pas Solingenit: Ndalim thikash dhe dëbime më të shpejta
30 Gusht 2024Pas sulmit vdekjeprurës me thikë të islamistit të dyshuar, Isa al H., në Solingen, prej të cilit më 23 gusht gjetën vdekjen tre vetë, qeveria gjermane ra dakord për ashpërsimin e ligjevedhe për një paketë sigurie e cila përbëhet nga disa shtresa. Paketa përfshin ligje më të rrepta për armët, reduktimin e ndihmave sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale. Po ashtu do të zgjerohen kompetencat hetimore për autoritetet e sigurisë dhe do të ketë më shumë projekte parandaluese kundër islamizmit.
Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se do të ndalohen thikat në festivale, aktivitete sporte apo ngjarje të ngjashme publike. Në të ardhmen policia do të ketë gjithashtu të drejtë të ndalojë mbajtjen e thikave në stacionet e trenave, të cilat shpesh janë pika të nxehta veprash kriminale. Po ashtu parashikohet edhe një ndalim i përgjithshëm i thikave në trenat e distancave të gjata. Gjithashtu do të ashpërsohet dhënia e licencave për armë zjarri.
Dëbim edhe për rinjtë
Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann tha se "kushdo që sulmon ose kërcënon me thikë njerëzit në Gjermani do të dëbohet shpejt nga vendi." Ashpërsimi i masave të dëbimit do të vlejë edhe për të rinjtë. Edhe refugjatët që shkojnë për vizitë më vendet e tyre të origjinës do të dëbohen, se sipas ministrit Buschmann: "ai që shkon për pushime në vendlindje, ku pretendon se nuk mund te jetojë në siguri, vepron në mënyrë kontradiktore dhe do ta humbasë statusin e strehimit”.
Po ashtu edhe personat që kanë bërë kërkesë për azil në një vend tjetër të BE-së do të përjashtohen nga ndihmat sociale në Gjermani.
A do të ketë bëbime edhe në Siri dhe Afganistan
Buschmann dhe Faeser konfirmuan gjithashtu qëllimin e tyre për të dëbuar persona që kanë kryer krime të rënda dhe terroristë të dyshuar edhe në Siri dhe Afganistan, megjithëse Gjermania nuk ka marrëdhënie diplomatike me këto vende dhe megjithëse një dëbim i tillë sipas organizatave për të drejtat e njeirut mund të jetë antikushtetues.
Zgjerim i kompetencave hetimore
Qeveria parashikon që të lejojë përdorimin e programeve për njohjen e fytyrave nga autoritetet e sigurisë për të kërkuar dhe identifikuar sa më të shpejtë në internet dhe rrjetet sociale persona të dyshuar apo të shpallur në kërkim.
Po ashtu do të krijohet një grup pune për të parandaluar islamizmin, sidomos radikalizimin e individëve përmes internetit.