1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pas vendimit të DASH Berisha kërkon publikimin e fakteve

20 Maj 2021

Vendimin e DASH, ish-kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha e ka quajtur pa asnjë bazë. Ndërkohë nga Partia Socialiste ka ardhur reagimi, se ky është mesazh i SHBA në mbështetje të drejtësisë së re.

https://p.dw.com/p/3telR
Sali Berisha
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Ish kryeministri dhe ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i bëri thirrje të mërkurën në mbrëmje, (19.05)  Departamentit Amerikan të Shtetit, (DASH) të publikojë "fakte dhe dokumenta” për shpalljen e tij dhe familjarëve të tij "persona të padëshirueshëm” për shkak "të korrupsionit madhor”.

Në reagimin e tij drejtuar Sekretarit Amerikan të  Shtetit, Antony Blinken, Berisha e konsideron vendimin e DASH "pa asnjë bazë konkrete”."Gjatë 30 viteve në politikë nuk ka ekzistuar kurrë asnjë akuzë në adresën time, nga asnjë person, asnjë institucion vendas dhe i huaj për abuzim me fondet publike dhe çfarëdo lloj tjetër korrupsioni. Gjatë të gjitha viteve të mia në pushtet, por dhe deri më sot, familjarët e mi nuk kanë përfituar kurrë nga fonde dhe asete publike dhe kanë zbatuar me rigorozitet të plotë ligjet e vendit. Ata deri më sot nuk kanë qenë kurrë nën akuzë nga drejtësia shqiptare apo e ndonjë vendi tjetër,ka reaguar Berisha në një postim të gjatë në median sociale.

Berisha e ka quajtur qeverinë e drejtuar prej tij "si një qeveri që ka ndërmarrë një luftë të suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të dokumentuar edhe në raporte dhe vlerësime të qeverisë së SHBA.” "Kam denoncuar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend publikisht brenda dhe jashtë vendit, krimin e organizuar shqiptar dhe bandat e tij, kartelet e drogës, lidhjet e tyre me zyrtarët më të lartë shqiptarë, por edhe të huaj, korrupsionin e papërmbajtur qeveritar në Shqipëri”, ka theksuar Berisha në reagimin e tij.

Albanien Wahlen | Lulzim Basha
Lulzim BashaFotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

duke shtuar, se "ka mbështetur reformën në drejtësi dhe të gjitha ndryshimet kushtetuese dhe ka kritikuar dhe denoncuar çdo akt të ndërmarrë në kundërshtim flagrant me amendamentet kushtetuese për vendosjen e kontrollit të plotë politik mbi sistemin e drejtësisë.”

Berisha shpreh dyshime në reagimin e tij lidhur me ndikimin e Geoge Soros në vendimin e DASH, kur shkruan se" ka denoncuar në mediat shqiptare dhe të huaja multimiliardierin George Soros, si korruptorin më kryesor të politikanëve të sotëm dhe si një armik të vërtetë të demokracisë në Shqipëri".

Basha: Transparencë të plotë faktesh për vendimin e DASH

Thirrje për transparencë e ka bërë në reagimin e tij ndaj vendimit të DASH edhe kryetari i PD, Lulzim Basha. "Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta.

Sipas tij,  shpallja "person i padëshëruar” i Berishës nga Sekreari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, "nuk cënon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë Euro-Atlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Partia Socialiste përshëndet vendimin e DASH

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, (PS) Taulant Balla përshëndeti të mërkurën, (19.05) vendimin e DASH për shpalljen "person të padëshëruar” të ish-kryeministrit Berish adhe familjes së tij. Në një postim në faqen e tij zyrtare, ai mbështet verdiktin e SHBA dhe thekson, se PS "do të bashkëpunojë me partnerët e Shqipërisë në përpjekjet për të luftuar korrupsionin”.

Edhe Fatmir Xhafaj, deputeti i PS, ish-kreu i komisionit parlamentar të ligjeve që ka një kontribut të spikatur në hartimin e ligjit për Reformën në Drejtësi, ka përshëndetur vendimin e DASH dhe e ka konsideruar "një mesazh të qartë të aleatit strategjik të Shqipërisë, SHBA, në mbështetje të drejtësisë së re dhe të pavarur. Koha për të bërë drejtësi. Luftë frontale ndaj pandëshkueshmërisë të të korruptuarve dhe krimit të organizuar”, thekson Fatmir Xhafaj.

Taulant Balla Abgeordneter der Sozialistischen Partei Albaniens (PS)
Taulant BallaFotografi: Auron Dodi

Sali Berisha dhe vendimi i DASH

Sali Berisha është politikani që ka zotëruar për 30 vjet skenën e politikës në Shqipëri. Ai ka qenë dy herë kryeministër dhe dy herë president. Në vitin 2013, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare ai dha dorëheqjen nga posti i kryetarit historik të Partisë Demokratike, por nuk u tërhoq nga jeta politike.

Berisha vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetë jetë deputet i Partisë Demokratike (PD) dhe të ketë një ndikim të madh në këtë parti.

Ditët e fundit lideri i saj, Lulzim Basha njoftoi se 59 deputetët e kësaj partie, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, 25 prillit, do të futen në shtator në Parlamentin e ri edhe pse nuk i njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare, që i dhanë rradhazi PS mandatin e tretë qeverisës. Sali Berisha është personi i katërt që DASH ka shpallur në Shqipëri "persona të padëshëruar” dhe që u ndalon hyrjen në SHBA.

Në shkurt të vitit 2018 DASH shpalli "person të padëshiruar” ish Prokurorin e Përgjithshën të Shqipërisë, Adriatik Llalla dhe familjen e tij "për përfshirje në afera korruptive”, i cili vazhdon të jetë në proces gjyqësor. Pas dy muajsh, në prill po të vitit 2018, DASH shpalli "person të padëshëruar” Tom Doshin, ish-deputet socialist bashkë me familjen e tij për të njëjtat arësye . Në korrik të vitit 2019, DASH, shpalli "person të padëshiruar” ish-kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako së bashku me familjen e tij për "përfshirje në afera korruptive.”

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana