230911 Schwellenländer Eurozone
24 Shtator 2011Shpresat për vendet në ekspansion ekonomik si Brazili, Rusia, Kina, India dhe Afrika e Jugut janë të mëdha. Vëzhguesit mendojnë se në takimet e zhvilluara në Uashington në kuadër të takimit të vjeshtës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore, ministrat e financave dhe drejtorët e bankave nacionale të vendeve të ashtuquajtura - BRICS - shkurtimi është bashkimi i gërmave të para të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës (China) dhe Afrikës së Jugut (South Africa) - mund të kenë vendosur, që të mbajnë një pjesë më të madhe të rezervave valutore në euro. Për këtë duhen blerë obligacione shtetërore nga vendet solide të zonës së euros, për shembull nga Gjermania, shkruan revista ekonomike braziliane "Económico Velor".
A kthehen kështu vendet në ekspansion ekonomik në shpresën e fundit për vendet e industrializuara të mbytura në borxhe? Pas takimit të të pestëve (Brazilit, Rusisë, Kinës, Indisë dhe Afrikës së Jugut), ditën e enjtë në Uashington nuk u mor vesh shumë. "BRICS janë të gatshëm të marrin në konsideratë nëse është e nevojshme, që të japin ndihmën e tyre nëpërmjet FMN ose institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, duke iu përgjigjur sfidave aktuale për vendosjen e stabilitetit global financiar," thuhet në një deklaratë përfundimtare. Ato nuk folën për ndihma të tjera të mundshme, apo për blerjen e obligacioneve nga vendet me probleme.
Kërkohet veprim i shpejtë
Pesë shtetet i bënë thirrje Evropës të marrë masa vendimtare kundër krizës. Zona e euros, duhet të veprojë "shpejt dhe me guxim", tha ministri brazilian i Financave Guido Mantega pas takimit në kryeqytetin amerikan. Ndryshe ekziston rreziku "i një krize të madhe", edhe për vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik. "Por ne mund ta pengojmë atë sa kohë që veprohet shpejt," tha Mantega.
Shtetet e BRICS-ut do të japin kontributin e tyre së bashku me vendet e zonës së euros dhe 20 ekonomitë më të mëdha ekonomike (G-20) për krijimin e konsensusit, plotësoi ministri indian i Financave, Pranab Mukherjee.
Por BRICS tregon njëkohësisht edhe për problemet e veta. "Disa prej nesh kanë qenë në prag falimentimi pas krizës globale ekonomike dhe perspektivat e rritjes ekonomike ranë për shkak të pasigurive në tregjet botërore," thuhet në një deklaratë përfundimtare. Përveç kësaj rritja e pakontrolluar e likuiditetit të bankave qendrore në vendet e industrializuara për stabilizimin e ekonomive të tyre, ka shkaktuar lëkundje të mëdha të rrymave të kapitaleve dhe çmimeve të lëndëve të para".
Autor: Rolf Wenkel / Aida Cama
Redaktoi: Lindita Arapi