1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peter Beyer kërkon zbatimin e Asociacionit

11 Maj 2023

Të gjitha arsyetimet, që i kemi dëgjuar në këto vite nga qeveritë e ndryshme të Kosovës nuk mund t'i dëgjojmë më dhe nuk mund t'i tolerojmë, tha politikani kristiandemokrat.

https://p.dw.com/p/4REOq

Politikani kristiandemokrat, Peter Beyer, CDU, raportues për Kosovën në Parlamentin Gjerman, është ngopur me justifikimet e qeverive të Kosovës për moskrijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në një debat të zhvilluar të enjten, 11.05.23 në Bundestag, ai kërkoi implementimin e së paku një asociacioni në veri të vendit. “Të gjitha arsyetimet, që i kemi dëgjuar në këto vite nga qeveritë e ndryshme të Kosovës nuk mund t'i dëgjojmë më, e nuk mund t'i tolerojmë”, tha eksperti për Ballkanin.

Të enjten, 11.05.2023, u zhvillua debati i parë mbi mocionin e paraqitur nga qeveria gjermane për zgjatjen edhe me një vit të mandatit të stacionimit të ushtarëve gjermanë në Kosovë. Politikanët e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë (SPD, Të Gjelbrit, FDP) si edhe ata të grupit parlamentar më të madh opozitar (CDU/CSU) lavdëruan kontributin e KFOR-it në përgjithësi për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë.  

Beyer paralajmëroi: “Stabilizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor”.