Pjesëmarrje e ulët e filmave ballkanikë në Berlinale
8 Shkurt 2008Krahas regjizorëve Martin Skorsizit (Scorsese) dhe Brajan de Palmës (Brian de Palma) tapetin pritet ta shkelin edhe muzikantët e grupit "Rolling Stones" e Madonna. "Shine a Light" - i Martin Skorcizit për historikun e rokerëve legjendarë "Rolling Stones" do të hapë ngjarjen më të rëndësishme kinematografike në Gjermani. Ky film ashtu si edhe katër të tjerë, ndodhet jashtë konkurrence. Deri më 17 shkurt nëpër kinematë e kryeqytetit do të shfaqen mbi 400 filma të metrazheve, zhanreve dhe vendeve të ndryshme, por për "Ariun e Artë" dhe atë të" Argjendtë" garojnë vetëm 21.
Në garën kryesore këtë vit nuk merr pjesë asnjë film ballkanik. Organizatori i Diter Koslik thotë, se evropianolindorët preferojnë Kanën para Berlinales.
Vetëm dy filma kanë arritur këtë radhë deri në programin shoqërues "Panorama": "Jam nga Titov Veles" i Teona Mitrevkas si dhe filmi i regjizorit serb Stefan Arsenijeviç: "Dashuri dhe krime të tjera". Diter Koslik thotë se një film shqiptar kishte kandiduar, "por për fat të keq nuk e pranuam, megjithëse ishte shumë tërheqës." Të paktën, shton Koslik, e pamë që paska edhe Shqipëri dhe që edhe aty bëhen filma.
Por në Berlinale nuk mungon gjuha shqipe: Në filmin bullgar "Korridorin 8", një dokumentar për jetën, ëndërrat dhe paragjykimet e njerëzve që jetojnë rreth rrugës automobilistike të pandërtuar, që do të lidhte Detin e Zi me atë Adriatik, si dhe në filmin grek "Dhiorthosi" (Korrigjimi), i cili trajton përplasjen e fenomenit të migracionit me atë të rracizmit.
Të dy këta filma do të shfaqen në kuadër të programin shoqërues "Forumi Ndërkombëtar i Filmit të Ri". Dhe në se Dhiorthosi, i vetmi film grek në Berlinale, do të ketë edhe aktorët me vete, atëherë mund të themi, se në Berlinale mungon Shqipëria, por të paktën është një ekip shqiptar. Përveç regjizorit Thanos Anastopoulos e aktorit kryesor, pjesa tjetër janë gati të gjithë shqiptarë me banim në Greqi.