1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Poloni: Rritet presioni ndaj gjyqtarëve kritikë

Magdalena Gwozdz | Monika Sieradzka
9 Qershor 2020

A duhet të kenë frikë gjyqtarët polakë që marrin vendime të pakëndshme për qeverinë? Një organ disiplinor i diskutueshëm vendos të hënën për një rast konkret.

https://p.dw.com/p/3dUQH
Solidarität mit Richter Igor Tuleya in Warschau
Solidaritet me gjykatësin Igor Tuleya në VarshavëFotografi: Getty Images/AFP/J. Skarzynski

Gjykata e Lartë e Polonisë drejtohet prej dy javësh nga një kryetare e re, Malgorzata Manowska, e cila është ithatare e partisë në pushtet Prawo i Sprawiedliwość - PiS dhe e besuar e presidentit dhe e kryeministrit. Sot (09.06. 20) trupi disiplinor i kësaj gjykate do të shqyrtojë kërkesën e prokurorit të përgjithshëm për t'i hequr imunitetin gjyqtarit Igor Tuleya. Në rast se trupi gjykues shprehet pro heqjen së imunitetit kjo do t'i hapte rrugën procedimit penal ndaj juristit 50-vjeçar.

Prokuroria e akuzon Tuleyan se tre vjet më parë ka zhvilluar seanca gjyqësore të hapura për gazetarët duke bërë kështu të njohura për publikun informacione nga hetimet. Objekti i gjykimit të atëhershëm lidhej me të drejtën e gazetarëve për të raportuar nga Parlamenti dhe se në ç‘rrethana kjo e drejtë mund të kufizohet. Igor Tuleya kishte vendosur në favor të gazetarëve, gjë që nuk u shkoi për shtat politikanëve drejtues të PiS-së.

"Kërkesa për të më hequr imunitetin është një raprezalje politike", thotë i akuzuari në bisedë me DW. "Nuk kam frikë, se mendoj se jam përgatitur" - tha Tuleya duke shtuar në mënyrë sarkastike se: "edhe burgun mund ta përballojë ".

Solidarität mit Richter Igor Tuleya in Warschau
Protesta në VarshavëFotografi: Getty Images/AFP/J. Skarzynski

Mjet presioni ndaj gjyqtarëve

Trupi disiplinor pranë Gjykatës së Lartë, që pritet të vendosë mbi imunitetin e Tuleyas, është një element kryesor i sistemit disiplinor të reformës gjyqësore të iniciuar nga qeveria konservatore e PiS-it. Ky trup gjykues mund të pezullojë, pushojë ose transferojë gjyqtarët dhe prokurorët.

Reforma gjyqësore në Poloni shihet nga Brukseli si një përpjekje për të prishur ndarjen e pushteteve në vend. Ndaj Polonisë kanë nisur aktualisht disa procedura për shkelje të ligjeve të BE-së. Në vitin 2019 Komisioni Evropian paraqiti një ankesë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë se organi i ri disiplinor në Poloni shkel parimin e BE-së për "mbrojtje gjyqësore efektive ". Në prill të vitit 2020 gjyqtarët e lartë të BE-së e pranuan padinë dhe sipas vendimit të tyre ky organ duhet ta "pezullojë menjëherë punën e tij" deri në vendimin përfundimtar.

Solidarität mit Richter Igor Tuleya in Warschau
Fotografi: Getty Images/AFP/J. Skarzynski

Gjykatë speciale antikushtetuese

Gjyqtari Tuleya e konsideron trupin disiplinor si një "gjykatë speciale" antikushtetuese. Ai drejtohet nga njerëz të afërt me Prokurorin e Përgjithshëm, i cili është gjithashtu Ministër i Drejtësisë dhe Kryetar i një partneri të koalicionit të PiS-së. Kjo është arsyeja pse Tuleya nuk do të paraqitet para trupit gjykues. "Unë nuk jam vetëm një gjyqtar, por edhe një gjykatës evropian, i cili gjithashtu duhet të respektojë rendin juridik evropian. Nëse do të merrja pjesë në këtë seancë, do të shpërfillja vendimin e GJED", thekson ai.

Në vend që të paraqitet para Dhomës Disiplinore, ai bashkohet të hënën me protestat para Gjykatës së Lartë. "Nëse prokurori do të veprojë me konsekuencë, ai do të duhet të më marrë në pyetje ose të më arrestojë përkohësisht. Unë pres që kjo madje do të ndodhë ". Tuleya thotë se është "i përgatitur mendërisht" dhe nuk do të heqë dorë: "Unë besoj se duke luftuar për gjykata të pavarura dhe të lira në Poloni, unë jam duke luftuar edhe që Polonia të mbetet anëtare e BE-së".