1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëHolandë

Populisti i djathtë Wilders dëshiron të bëhet kryeministër

23 Nëntor 2023

Holanda po përjeton një tërmet politik pas zgjedhjeve parlamentare. Populisti i djathtë Wilders kryeson qartë. Ai e ka dyfishuar rezultatin e tij në krahasim me zgjedhjet e fundit dhe dëshiron të bëhet kryeministër.

https://p.dw.com/p/4ZLkc
Wilders duke festuar me kolegë të  partisë së tij.
Gaert Wilders në Scheveningen në Holandë, më 22 nëntor 2023. Fotografi: Remko de Waal/ANP/IMAGO

Fituesi i zgjedhjeve holandeze Geert Wilders (PVV) ka njoftuar se dëshiron të qeverisë. Votuesi ka folur, tha populisti i krahut të djathtë për televizionin holandez. Ai mendon se tani të gjithë duhet të dalin nga vetja. Për të marrë një shumicë, Wilders ka nevojë për të paktën dy partnerë koalicioni. Për momentin nuk është e sigurt se do të mund t'i gjejë ata. 

Kreu i listës së aleancës kuq-e Gjelbër, ish-komisioneri evropian Frans Timmermans, bëri thirrje për mbrojtjen e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Ai u kërkoi mbështetësve të tij që të angazhohen për të drejtat e emigrantëve dhe myslimanëve. Timmermans, u shfaq luftarak, pothuajse patetik dhe u premtoi të gjithë të frikësuarve nga rezultati i zgjedhjeve se do t'u qëndronte pranë. "Ne jemi demokratë," tha Timmermans. "Demokracia ka folur. Tani është koha që ne të mbrojmë demokracinë."

Frans Timmermans
Frans TimmermansFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Wilders mori urime nga përfaqësues të disa partive populiste të krahut të djathtë në Evropë. Kryetarja e AfD-së gjermane, Alice Weidel foli për një sukses të madh në shërbimin online X. Kryeministri hungarez Orban si dhe politikanët populistë të djathtë Salvini në Itali dhe Le Pen në Francë e uruan gjithashtu.

Vëzhguesit tani presin që formimi i një qeverie në Holandë të kërkojë kohë. Ish-koalicioni i qendrës së djathtë u shpërbë verën e kaluar për një konflikt mbi politikën e migrimit.

Rezultatet jopërfundimtare u publikuan natën nga agjencia e shtypit ANP. Sipas kësaj përllogaritjeje, PVV merr 37 nga 150 vendet në Parlamentin e Hagës. Kjo do të përfaqësonte më shumë se dyfishin e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit.

Mark Rutte para mikrofonit
Mark RutteFotografi: John Thys/AFP

Një aleancë midis Socialdemokratëve dhe të Gjelbërve do të vinte në vendin e dytë me 25 vende. Sipas parashikimeve, Partia Popullore liberale e krahut të djathtë (VVD) e kryeministrit në largim Marcus Rutte është shumë prapa. Ajo humbi 10 vende dhe do të merrte vetëm 24 mandate. Partia e re NSC e ish-deputetit kristian-demokrat Omtzigt, sipas vlerësimeve, mund të marrë 20 vende.

Mbetet e paqartë nëse partitë e tjera do ta pranojnë një pakt me Wildersin.

Gjasat janë që lëvizja Fermer-Qytetar të pranojë, Omtzigt më tepër jo, dhe kryetarja e listës VVD, Dilan Yesilgöz, kishte siguruar gjatë fushatës elektorale se nuk do të ishte pjesë e një kabineti ku Wilders do të ishte kryeministër.

Mesazhi i votuesve është i qartë. Holandezët duan një qeveri të krahut të djathtë që merr seriozisht shqetësimet e qytetarëve dhe trajton varfërinë, krizën e strehimit dhe flukset e tepërta të refugjatëve. Shoqatat islamike, organizata e ndihmës për refugjatët, mbrojtësit e klimës dhe organizatat mjedisore reaguan me shqetësim ndaj rezultatit të zgjedhjeve.

 

Ky artikull është marrë nga agjencitë e lajmeve.

Përgatiti Auron Dodi