1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Populizëm në fushatën zgjedhore në Bavari

8 Tetor 2023

Në landin më të madh gjerman zhvillohen sot (08.10.) zgjedhje Kryeministri, Markus Söder, CSU dëshiron të qëndrojë në pushtet me koalicionin aktual. Por si vepron ai me tonet populiste të partnerit të koalicionit?

https://p.dw.com/p/4XEe6
Pllakate zgjedhore në Bavari
Pllakate zgjedhore në BavariFotografi: Wolfgang Maria Weber/picture alliance

Kur kryeministri, Markus Söder hyn në sallën e mitingut zgjedhor ai nuk shkon drejt e në skenë, por hyn nga pjesa e pasme e sallës duke ecur si një boksier që po ngjitet në ring me shtrëngim të sa më shumë duarve, i shoqëruar në një eskortë me truproja, asistentë, nganjëherë kameramanë. Ai do të duket si dikush që del nga mesi i popullit. Dikush që ndjehet pjesë e tyre dhe do ta tregojë këtë. Në Ebersberg pranë Mynihut kështu u shfaq Söder në një takim zgjedhor ku mbajti një nga fjalimet e tij rutinë, që nuk ka nevojë t'i lexojë dhe përmbajtjen e zgjedh sipas publikut. Në këtë takim batutat e tij lidheshin me mbrojtësit e klimës, ministrin e Shëndetësisë, Karl Lauterbach, dhe natyrisht kundërshtarin e tyre, Të Gjelbrit si dhe gjoja preferencat e tyre për ndalime, të mos hash sallam, ëmbëlsira etj.

Söder që prej kohësh luan në klaviaturën e populizmit ka zbuluar me sa duket që ushqimi është rruga për të shkuar drejt e në zemrat e votuesve. Mes dhuratave që shpërndau ai në Ebersberger ishte një libër gatimi, bazuar në hashtagun #Söderisst. -Söder ha. Kryeministri bavarez poston rregullisht ato që shtrohen në tavolinë pas takimeve zgjedhore apo konferencave të shtypit. Prej tyre ka dalë tani një libër.

Markus Söder, kreu i CSU para sfondi blu duke folur n mikrofon
Markus Söder, kreu i CSU Fotografi: Peter Kneffel/dpa/picture alliance

Söder ushqehet me atë çfarë ofron Bavaria

Kush shfleton librin e ka të qartë: Ky njeri e do ushqimin bavarez. Një bavarez nga koka në këmbë, ky është mesazhi. Dhe CSU e Söderit është në thelb Bavaria, le të kuptohet gjithmonë kryeministri bavarez. "Një CSU e fortë është një Bavari e fortë", tha ai dhe thumbon qeverinë në Berlin. "Dhe asgjë nuk do më shumë Berlini, se një Bavari të dobët."

Një votues tradicional i CSU, Josef Götz që shkon me veshje tradicionale në takimet zgjedhore i kupton këto deklarata si një rivalitet të vjetër të brendshëm gjerman. "Berlini ka nevojë për ne, por nuk do që ne të dëgjohemi" e vazhdon, "prandaj nuk do të ketë asnjëherë një kancelar bavarez".

Por kohët e fundit, Söder ka një problem tjetër. Në çështjet e populizmit ai po parakalohet nga partneri i koalicionit, kreu i Zgjedhësve të Lirë, Hubert Aiwanger. 52-vjeçari është zëvendëskryeministër, ministër ekonomie dhe drejtues i një partie të re konservatore që paraqitet shumë e afërt me popullin. Mes dy partive nuk ka dallime ideologjike -të dyja janë të politikës së qendrës së djathtë, social-konservatorë dhe liberal nga ana ekonomike. Por pas zgjedhjeve në vitin 2018, kur Söder vendosi për Zgjedhësit e Lirë e jo Të Gjelbrit marrëdhënia nuk është më e qetë. Besimi i votuesve tek Aiwanger është rritur.

Hubert Aiwanger, drejtues i Zgjedhësve të Lirë nuk e quan veten populist, megjithëse deklaratat e tij shihen si populiste
Hubert Aiwanger, drejtues i Zgjedhësve të Lirë nuk e quan veten populist, megjithëse deklaratat e tij shihen si populisteFotografi: Ben Knight/DW

Aiwanger: Një populist i ri merr hov

Skandalet për simpatitë ma gjasë për ekstremistët e djathtë në kohën kur ishte nxënës dhe retorika e tij për "rimarrjen e demokracisë" i kanë rritur vlerat e sondazheve. Aiwangeri këmbëngul që jo të gjitha daljet e tij publike të kuptohen si "fjalime në tenda birrash", por sipas tij "tek kultura e tendës së birrës bën pjesë ekzagjerimi, disa batuta të forta për të qeshur e nganjëherë edhe pretendime të ekzagjeruara për konkurrentët politikë", thotë ai për DW. Ky shkëmbim ka traditë në Bavari, sipas tij. Nëse vjen kancelari Scholz në një tendë birre për të mbajtur fjalim, nuk vjen kush, thotë Aiwanger. Ai e argumenton këtë me stilet e ndryshme të fushatave zgjedhore dhe dallimeve rajonale. "Gjermania veriore është më e distancuar dhe e përmbajtur se Bavaria." Aiwanger nuk shqetësohet për efektet e retorikës së tij populiste. "Më besoni apo jo, nuk e shoh veten si populist, sepse tek populisti shoh dikë që kundër bindjeve të tij përhap të pavërteta për të nxitur atmosferën."

Markus Söder përshëndet votues në Ebersberg
Markus Söder përshëndet votues në EbersbergFotografi: Ben Knight/DW

Të Gjelbrit, AfD, Zgjedhësit e Lirë dhe FDP

Sipas një sondazhi aktual të televizionit gjerman, ZDF, Partia Kristiansociale e Söderit,CSU pritet të kapë vlerën 37% në votime. Tradicionalisht partitë e qendrës së majtë kanë qenë të dobta në Bavari. Këtë vit të Gjelbrit në sondazhe arrijnë pak a shumë  atë nivel si Zgjedhësit e Lirë dhe AfD, mes 14 dhe 16%. Socialdemokratët e kancelarit Scholz kanë rënë në sondazhe nën 10%, dhe liberalët e FDP, partner i vogël i koalicionit në Berlin kërcënohen nga një dështim rajonal. FDP mund të mos e kalojë kufirin 5% për të hyrë në parlament.

Brenda CSU autoriteti i Markus Söder është i patundur, po për Söder një rezultat zgjedhor nën 35% do të ishte katastrofal, ai i trembet humbjes së gjithnjë e më shumë votuesve të CSU tek spektri i djathtë. Me Zgjedhësit e Lirë Söder do të vazhdojë bashkëpunimin dhe me këtë ta mbajë të ulët rrezikun e ekstremit të djathtë.

Por kjo taktikë zgjedhore mund të jetë e dëmshme në plan afatgjatë për CSU, sepse Zgjedhësit e Lirë ndjehen të inkurajuar të kërkojnë më shumë se 3 nga 15 postet e kabinetit qeveritar bavarez, siç i kanë aktualisht. Në takimin zgjedhor në Ebersberg ka duartrokitke të forta, kur Söder shprehet ashpër kundër partisë të ekstremit të djathtë AfD. Sabine Maier një votuese e CSU e shikon këtë parti si joshëse vetëm me retorikë. CSU nuk ka zgjedhje tjetër veç të bashkëpunojë me Zgjedhësit e Lirë. "Bashkëpunimi me Të Gjelbrit nuk është opcion, me AfD, falë Zotit jo, mbetet vazhdimi i koalicionit me Zgjedhësit e Lirë."