1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pradetto: Koreja e Veriut ndihet e provokuar

Anne Allmeling 1 Prill 2013

Kërcënimet e Koresë së Veriut kanë arritur një nivel të ri. Në intervistën për DW studiuesi i shkencave politike August Pradetto, shpjegon përse kreu i shtetit Kim Jong Un do të demonstrojë forcën dhe si reagon SHBA-ja.

https://p.dw.com/p/187Md
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Koreja e Veriut ka shpallur gjendje lufte me Korenë e Jugut. Çfarë ndryshon prej kësaj? Të dyja vendet qysh prej luftës së Koresë ende s’kanë vendosur një marrëveshje paqeje.

Pradetto: Në parim gjendja ushtarake dhe politike nuk do të ndryshojë shumë, sepse kapaciteti i forcave të armatosura të Koresë së Jugut bashkë me ato të SHBA-së është shumë më superior krahasuar me Korenë e Veriut. Kjo e fundit e ndien veten të provokuar prej manovrave në shkallë të gjerë, që po kryhen aktualisht në Korenë e Jugut dhe në detin Lindor Kinez dhe ky është tani reagimi i udhëheqjes koreanoveriore ndaj kësaj manovre. Kjo ka funksion në politikën e brendshme, por edhe synon demonstrimin e forcës nga jashtë për të treguar: Ne i kundërvihemi kësaj manovre, ne kemi besim tek forcat tona. Ndonëse Penjani ka pak mundësi, që t’i kundërvihet kësaj në një mënyrë adekaute në aspketin ushtarak.

Ju thoni, se shpallja e gjendjes së luftës ka edhe arsye të politikës së brendëshme. Cilat janë këto arsye?

Kreu koreanoverior i pushtetit Kim Jong-Un ka pak më shumë se një vit që ndodhet në post. Si pasardhësi i ri i të atit në këtë post atij i duhet të dëshmojë aftësitë – e këtë ai përpiqet siç duket ta bëjë me fjalë të fuqishme. Fjalët e fuqishme kundër amerikanëve dhe kundër udhëheqjes koreanojugore duhet të kenë efekt, që ai të pranohet si mbrojtës i kombit koreanoverior.

A ka kjo efekt ndaj bashkëatdhetarëve të tij?

Nuk duhet të harrojmë, që Koreja e Veriut është një shtet totalitar, i cili i ka nën kontrollin e vet të gjitha mediet. Atje transmetohet, dëgjohet dhe perceptohet, ajo çfarë transmetojnë mediet koreanoveriore. Nga jashtë depërtojnë në këtë vend relativisht pak lajme dhe aspak raportim objektiv. Njerëzit janë të varur prej informacionit nga mediet vendase. Lajme të një lloji tjetër vijnë nga Kina. Por këto lajme nuk janë të përshtatshme, për të ndikuar në mënyrë të qenësishme tek publiku koreanoverior.

Por udhëheqësit koreanoveriorë gjithmonë e kanë ndjerë veten të provokuar prej manovrave ushtarake amerikane dhe koreanojugore. Mos vallë manovra e fundit ka fituar një cilësi të re, apo kemi të bëjmë me një vringëllimë armësh siç ndodh herë pas here?

SHBA-ja dhe Koreja e Jugut rregullisht kryejnë manovra të përbashkëta detare.

Rreziku në radhë të parë konsiston në faktin se tek të dyja palët ndodh diçka e paqëllimshme. Pjesa më e madhe e manovrës do të marrë fund së shpejti. Paskëtaj situata me gjasë sërish do të qetësohet – në rast se nuk ndodhin incidente para se manovra të përfundojë.

A munden SHBA-ja dhe Koreja e Jugut të kontribuojnë në këtë drejtim? P.sh. duke qenë paksa më të rezervuara?

Kjo do të ishte një mundësi. SHBA bën pak për qetësimin e situatës. Në fakt SHBA-ja vet ndodhet nën presion me bazat e saj mbrojtëse në Japoni dhe në Korenë e Jugut. Këto baza mbrojtëse nuk është se pranohen pa një pa dy prej popullsisë së këtyre dy vendeve. Njëkohësisht SHBA-ja do që t’i përforocojë këto baza si dhe sistemin e mbrojtjes nga raketat në rajonin e paqësorit, veçanarisht në Korenë e Jugut dhe në Japoni. Reagimi koreanoverior ndaj manovrës sigurisht që i vjen përshtat SHBA-së, për të legjitimuar planet e veta dhe për t’i bërë ballë rezistencës.

Kjo do të thotë se të dyja vendet duan të demonstrojnë forcën?

Të dyja vendet duan ta ruajnë pozicionin e tyre në këtë rajon. Koreja e Veriut druan, se ajo që ndodhet në agjendën e SHBA-së qysh prej vitit 2001, pra një ndryshim i mundshëm regjimit në Korenë e Veriut, ndoshta mund të realizohet edhe me mjete ushtarake. Ndërsa SHBA-ja përpiqet, t’i zgjerojë pozicionet e veta në Paqësor. E ky është sfondi i vërtetë i retorikës dhe i strategjisë që ndjekin të dyja palët.

August Pradetto është profesor i shkencave politike në Univeristetin e Bundeswehr-it (Ushtrisë gjermane) në Hamburg.