"Pranvera dhe Stalini" i Dragotit në Berlinale
16 Shkurt 2007Përgjatë tetë minutave filmi kalon si një tren ekspres përmes histroisë së Shqipërisë që nga vitet 50-të e deri në ditët e sotme. Pamjet i njohin tashmë jo vetëm shqiptarët, por e gjithë bota: Procese të hapura gjyqësore kundër njerzve që mendonin ndryshe nga komunistët, ekzekutime të ashtuquajturish sabotues të socializmit në Shqipëri, mbledhje dhe aksione rinie, grushta në parlamentin shqiptar.
Sfondi akustik është një tekst i pakuptueshëm: "Është një poezi e Kadaresë për Stalinin, është recituar nga kompjuteri, për të nxjerrë në pah absurditetin e asaj që thonë njerzit, pasi kompjuteri dihet që është një instrument që nuk ka as shpirt e as logjikë, është i ftohtë", - sqaron Dragoti.
Me sekuenca nga intervistat e dhëna nga Kadareja asokohe për televizionin shqiptar, ai thotë se ka dashur të tregojë rolin e shkrimtarit të mirënjohur për të rinjtë e asaj kohe, njëri prej të cilëve ishte vetë Robert Aliaj: "Kadareja ka pasur një ndikim shumë të fuqishëm në të gjithë brezin tonë, sepse ishte një farë idhulli për ne. Ai mundi të penetrojë edhe në logjikën e njerëzve si unë, artistë të rinj, që kërkonin të shpreheshin, e që ishin të ndërgjegjshëm që aty po ndodhte një dramë, e arriti t'i bënte ata të dyshonin se ndoshta ato që ndodhnin në Shqipëri ishin normale. Ky është dëmi që mund t'i ketë shkaktuar Kadare gjithë brezit tonë", thotë 46 vjeçari Aliaj. Por ai thotë se nuk dëshiron ta kritikojë shkrimtarin që në aspektin estetik e adhuron.
Filmi dokumentar i Dragotit me titullin "Pranverë dhe Stalin" (2006) u shfaq në variant të shkurtuar prej 8 min. (nga 17) në kuadër të Berlinales së 57- të, në një program që hapet për herë të parë. I ashtuquajturi "Expanded Forum" (shqip: Forum i Zgjeruar) bëhet në kuadër të "Forumit Ndërkombëtar" të filmit, ku jepen punimet më të fundit të cineastëve të rinj nga e gjithë bota, dhe ka si synim t'i shtojë filmit një dimension të reflektimit përmes arteve të tjera.
Por filmi i Dragotit merrte pjesë edhe në programin shoqërues të Berlinales "Talent Campus", që mbledh qindra artistë dhe cineastë të rinj nga e gjithë bota në një maratonë seminaresh, prezantime filmash dhe diskutime të ndryshme, mes të tjerash edhe me cineastë të kalibrit botëror, si Wim Wenders.
Mbas arteve figurative, studimin e të cilave e pat filluar që në vitet 80-të në Shqipëri, muzikës, që e bëri atë të njohur me publikun shqiptar në fillim të viteve 90-të me pjesëmarrje në njërin nga festivalet në radiotelevizion, filmi është gjinia e tretë me të cilën po ballafaqohet Dragoti. Pjesëmarrja e papritur në programin shoqërues të Berlinales i ka sjellë një dielmë për orientimin e mëtejshëm drejt artit apo filmit. Por fillimisht ai dëshiron ta lërë të hapur.