1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

President i ri - përçarje e vjetër në Kroaci

6 Janar 2020

Presidenti i ri kroat, Zoran Milanoviç ndodhet para sfidave të mëdha. Megjithëse pa shumë kompetenca, atij do t'i duhet të ndikojë që vendi të tejkalojë polarizimin e thellë, mendon Zoran Arbutina.

https://p.dw.com/p/3Vm2W
Kroatien Zagreb | Zoran Milanovic liegt im ersten Wahlgang vorne
Fotografi: Getty Images/AFP/D. Lovrovic

Fjalët e para të presidentit të ri të sapozgjedhur, Zoran Milanoviç ishi të qarta dhe të mirëmenduara. Që natën e zgjedhjes ai shprehu mirënjohjen për ata që e votuan, por falënderoi edhe kundërshtarët. Milanoviç premtoi të jetë presidetni i të gjithë kroatëve dhe pjesëtarëve të pakicave. Socialdemokrati bëri të ditur, se nuk do të flasë më për të shkuarën, e se do të veprojë thellësisht brenda kuadrit kushtetues, që në fakt duhej të ishte e vetëkuptueshme. Ai bëri fjalë për unitetin e diversitetit

Ka mbaruar lufta?

Kjo është urgjentisht e nevojshme, sepse Kroacia është një vend i përçarë. Të majtë e të djathtë qëndrojnë të armiqësuar në llogoret e tyre, dhe e shkuara në këtë vend luan një rol të madh. Shpesh aty duket se as Lufta e Dytë Botërore dhe as ajo e viteve 90-të nuk ka marrë fund. Më shumë është krijuar përshtypja, se si partizanët antifashistë dhe "ustashët" fashistë, apo kroatët dhe serbët luftërat e asaj kohe i zhvillojnë ende edhe sot. Edhe në fushatën zgjedhore u dëgjuan tone të tilla, nga të dyja palët.

Mundësitë e kreut të shtetit, për ta mbyllur këtë hendek janë të kufizuara. Tek kontradiktat e sistemit politik në Kroaci bën pjesë, që presidenti zgjidhet nga njëra anë me votë të drejtpërdrejtë, gjë që i jep postit një legjitimim të madh, por sipas kushtetutës ka vetëm funksione operative përfaqësuese. Kreu i shtetit është komandanti i forcave të armatosura në rast lufte, ai mund të emërojë apo shkarkojë gjeneralët apo ambasadorët. Së bashku me kryeministrin ai kontrollon shërbimin informativ. Vetëm në politikën e jashtme, presidenti mund të vendosë vetë disa prioritete. Milanoviç që ka qenë dikur kreu i qeverisë, e di se nuk ka shumë kompetenca. Ai ka bërë të ditur, se nuk do t'i zgjerojë me dëshirë kufijtë e postit.

Pushteti i fjalëve

Mundësitë e tij të ndikimit janë më shumë të një natyre tjetër. Presidenti gëzon një vëmendje të madhe mediatike. Fjala e tij dëgjohet. Në fushatën zgjedhore, Milanoviç premtoi, ta bëjë Kroacinë "një vend normal". Tani ka ardhur koha që të ulen tonet, të mbahet distancë me nacionalizmin patetik të paraardhëses së tij, dhe të përdoret një gjuhë "përfshirëse". Një gjuhë që nuk i përjashton njerëzit, as serbët që jetojnë në Kroaci.

Nga ana tjetër Milanoviç kërkon një stil të ri politik. Ai ka bërë të ditur, se do ta drejtojë në mënyrë transparente postin, pa ujdi sekrete në dhomat e pasme. Kjo do të kishte rëndësi të veçantë, në një vend, ku korrupsioni dhe nepotizmi janë përditshmëri, dhe ku dy e treta e të rinjve mendojnë, se për të pasur sukses në profesion vendimtare janë lidhjet që ke dhe jo merita. Nëse ai vërtet ia arrin të krijojë një normalitet të tillë në Kroaci, në një kohë të parashikueshme do të ulej edhe numri i madh i atyre që duan ta lënë vendin. Sepse pikërisht këtë duan ata, të bëjnë një jetë "normale" në Gjermani, Austri, apo Irlandë.

Arbutina Zoran Kommentarbild App
Zoran Arbutina

Zgjatja e dorës fqinjëve

Edhe në kuadër të mundësive që i jepen në politikën e jashtme, presidenti i ri mund të kontribuojë në normalizimin e rajonit. Kur ishte kryeministër, Milanoviç tregoi, se është një europian i bindur, dhe se nacionalizmi është i huaj për të. Ndoshta ai ia del të krijojë ura bashkëpunimi me shtetet fqinjë, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Presidenca kroate e BE-së në këtë gjashtëmujor ofron premisa të mira.

Humbësi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve nuk është presidentja e deritanishme, Kolinda Grabar-Kitaroviç, por burri i fortë pas saj, kryeministri dhe kreu i konservatorëve (HDZ) kroatë. Ai u angazhua për Grabar-Kitaroviç, humbjen e saj tani kolegët e partisë HDZ ia faturojnë atij. Plenkoviç duhet të bashkëpunojë tani me socialdemokratin, Milanoviç dhe të durojë sulmet e krahut të djathtë brenda partisë së tij.

Këtë vit, me gjasa në vjeshtë, në Kroaci zhvillohen zgjedhje parlamentare. Më së voni atëherë do të dalë, nëse fitorja e Zoran Milanoviçit ishte pauza blu për transformimin e thellë në Kroaci. Deri atëherë presidenti i ri duhet të ketë dhënë rezultate për premtimin e bërë: ta bëjë Kroacinë një vend normal. Nëse Milanoviç nuk ka sukses, atëherë zhgënjimi në vend do të rritet, dhe Kroacisë do t'ia kthejnë kurrizin edhe më shumë të rinj se tani.

 

Një burrë i moshuar me flokë gri dhe mjekër të shkurtër që qëndron para një sfondi që duket si brenda një ndërtese me xhama, veshur me një bluzë me mëngë të gjata të zezë dhe buzëqesh.
Zoran Arbutina Redaktor, autor, reporter me fokus te Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Evropa