1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Presidenti Wulff kërkon të drejta për të krishterët në vendet islamike

19 Tetor 2010

Presidenti gjerman Christian Wulff dhe gruaja e tij, Bettina bashkë me një delegacion prej 15 përfaqësuesish nga fusha e ekonomisë po qëndrojnë për një vizitë në Ankara.

https://p.dw.com/p/Phk2
Presidenti i Gjermanisë, Wulff flet para parlamentit turk
Presidenti i Gjermanisë, Wulff flet para parlamentit turkFotografi: picture alliance/dpa

Në pritjen për presidentin gjerman, Christian Wulf këtë të martë në kryeqytetin turk, për herë të parë ka marrë pjesë në nderimet ushtarake në pallatin presidencial edhe zonja e parë, gruaja e presidentit turk, Hayrünnisa Gül, e cila ka qenë me shami në kokë. Qysh prej marrjes së postit para tri vjetësh nga presidenti Abdullah Gül, ajo kishte hequr dorë nga pjesëmarrja e saj në ceremonitë zyrtare. Kjo gjer tani ishte një formë kompromisi, për të evituar mosmarrëveshjet e reja lidhur me mbajtjen e shamisë së kokës në Turqi. Para dy javësh autoritetet universitare ua lejuan studenteve të vendit që të mbajnë shami koke në sallat e dëgjimit të leksioneve në universitete.

Presidenti i Turqisë e pret mikun nga Gjermania së bashku me të shoqen
Presidenti i Turqisë e pret mikun nga Gjermania së bashku me të shoqenFotografi: picture-alliance/dpa

Integrimi në Gjermani dhe të krishterët në Turqi në fokus

Të dy kryetarët e shtetit, Wulff dhe Gül zhvilluan një bisedë lidhur me disa tema të rëndësishme, si ajo e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, integrimi në Gjermani i turqve që jetojnë këtu si dhe të drejtat e pakicës së krishterë në Turqi.

Në debatin mbi integrimin, presidenti gjerman u bëri thirrje gjermanëve dhe turqve që për të gjitha problemet të mos harrojnë ngjashmëritë. “Ato që na bashkojnë janë më shumë se ato që na ndajnë”, tha Wulffi pas takimit që zhvilloi me presidentin turk Abdullah Gül.

Ai pranoi që "shumëllojshmëria është nganjëherë e mundimshme “

Wulffi kërkon të drejta për të krishterët në vendet islamike

Të martën paradite presidenti Wulff zhvilloi një vizitë në muzeloumin e themeluesit të Republikës turke, Mustafa Kemal Ataturk në Ankara. Ai vendosi aty një kurorë në varrin e tij dhe përshëndeti edhe një grup turistësh gjermanë.

Në fjalën e tij para parlamentit turk në Ankara, presidenti gjerman i bëri thirrje Tuqisë për një mbrojtje më të madhe pakicës së krishterë:

“Myslimanët mund ta praktikojnë në Gjermani besimin e tyre. Numri në rritje i xhamive e tregon këtë", tha Wulff-i.

“Në të njëjtën kohë ne presim që të krishterët në vendet islamike të kenë të drejta të njëjta për ta praktikuar hapur besimin e tyre, që të shkollohen teologë dhe që të ndërtojnë kisha.”

Wulff-i është presidenti i parë gjerman që flet para parlamentit turk
Wulff-i është presidenti i parë gjerman që flet para parlamentit turkFotografi: picture alliance/dpa

Në Turqi ka edhe një traditë të gjatë të besimit të krishterë.

Lidhr me këtë presidenti gjerman në fjalën e tij theksoi :

“Unë dëgjoj me entuziazëm të madh që në Turqi ka zëra që duan të hapin më shumë kisha për mesha. Për këtë zhvillim unë do t'ju inkurajoja", tha presidenti i parë gjerman që mban një fjalim para parlamentit turk, ku 99 për qind e rreth 70 milionë banorëve janë myslimanë dhe ku rreth 100.000 vetë janë të besimit të krishterë.

Në prag të vizitës në Turqi, presidenti gjerman pati deklaruar për mediet turke se turqit që jetojnë në Gjermani duhet të mësojnë të flasin gjermanisht.

“Nuk mund të mbyllim sytë para faktit se imigracioni turk në Gjermani është i shoqëruar dhe me një numër problemesh”.

Pritje me nderime ushtarake
Pritje me nderime ushtarakeFotografi: picture-alliance/dpa

Në një intervistë për gazetën “Hyrriyet” ndër të tjera ai tha se të gjithë njerëzit që jetojnë në Gjermani duhet të njohin "vlerat e kushtetutës sonë, të kenë respekt për shoqërinë tonë dhe të respektojnë mënyrën tonë të jetesës."


Autor: Mimoza Cika- Kelmendi (dpa, ap)

Redaktoi: Auron Dodi