Prishtina zyrtare: EULEX-i pa kushte në Kosovë
14 Nëntor 2008Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, thonë se Prishtina nuk është nën presion nga komuniteti ndërkombëtar për ta pranuar planin gjashtë pikësh të OKB-së, i cili do të mundësonte shtrirjen e misionit EULEX në Kosovë. Sipas tyre, bisedimet, që po zhvillohen rreth planit të OKB-së, janë pjesë e komunikimit me faktorin ndërkombëtar. Megjithatë, çdo ditë udhëheqësit politikë kosovar po zhvillojnë bisedime me ambasadorët e vendeve më të industrializuara në Prishtinë, në përpjekje për të arritur një kompromis mbi pikat e planit. Rezultate nga bisedimet ende nuk ka. Prishtina zyrtare qëndron pranë kërkesave të saj, duke kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar: të garantohet tërësia teriatoriale e Kosovës dhe të respektohet Kushtetuta e vendit. Fatmir Sejdiu, presidenti i Kosovës. "Eshtë një dokument shumë i rëndësishëm ai i shkurtit të vitit 2008 i dalë nga BE-ja për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë. Dëshira jonë është që EULEX-i të vendoset në Kosovë në të gjitha rajonet, prandaj ne nuk jemi ata që po bllokojmë procesin e vendosjes së misionit", thotë presidenti Sejdiu.
Në të njejtën linjë shprehet edhe kryeminstri Hashim Thaçi, i cili thotë, se misioni EULEX duhet të vendoset në Kosovë pa kushte sepse vetëm në këtë mënyrë do të garantohej respektimi i rendit dhe i ligjit. "Qëndrimi ynë është shumë i qartë: ndjekim politikë unike dhe shumë transparente duke respektuar të gjitha dokumentat shtetërore, që kanë rezultuar me njohjen e shtetit të Kosovës nga 52 vende të botës. Në këtë linjë ne u themi JO pikave të planit të zotit Ban Ki Mun, sepse ato nuk përkojnë me realitetin e pavarësisë në Kosovë", thotë kryeministri Thaçi.
Prishtina nuk e ka ndërmend të lëvizë nga pozicioni i saj, duke theksuar se misioni i BE-së EULEX, nuk mund të ketë status neutral ashtu siç kërkon Beogradi, sepse kjo presupozon moszbatimin e paketës së Marti Ahtisarit. Edhe kryetarët e komunave të Kosovës, thonë se plani gjashtë pikësh i OKB-së, cënon sistemin unik doganor, gjyqësor dhe policor dhe në mënyrë direkte cënon integritetin teritorial të Republikës së Kosovës. Propozimi i zotit Ban Ki Mun, sipas kryetarëve të komunave të Kosovës e zhvleftëson misionin e EULEX-it dhe automatikisht e bën atë bashkëfajtor, siç thuhet për dështimet e UNMIK-ut në pjesën veriore të Kosovës.