1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Problemet e Macronit ende pa filluar mirë mandatin

Andreas Noll
14 Maj 2022

Pas rizgjedhjes, Macron do të nisë zyrtarisht (me 14 maj) mandatin e tij të dytë. Por Presidenti i Francës do të ketë probleme serioze menjëherë në qershor.

https://p.dw.com/p/4BFur
Frankreich Macron und Melenchon
Fotografi: Batard Patrick/abaca/picture alliance

Francezët sapo kanë konfirmuar Emmanuel Macronin në detyrë me një shumicë të madhe (prej 58.5 përqind). Megjithatë, vetëm pak javë pas zgjedhjeve, shihet se shumë qytetarë hezitojnë t'i besojnë presidentit dhe nuk duan që ai të ketë të gjithë pushtetin në vend. Sipas një sondazhi të sapo publikuar nga instituti ifop, e majta do të fitojë raundin e parë të zgjedhjeve parlamentare në qershor me 28 përqind. Në vendin e dytë dhe të tretë janë Aleanca "Rilindja" e presidentit Macron dhe partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National (RN) e Marine Le Pen.

Pa një shumicë të nevojshme parlamentare, presidenti Macron duhet të harrojë agjendën e tij të reformave. Riorganizimi i sistemit të pensioneve me rritjen e moshës së pensionit në 65 vjeç nuk mund të realizohet. "Macron pastaj do të merrte edhe një herë funksionin simbolik të presidentit dhe do të përpiqej të ndikojë sa më shumë në procese të caktuara”, thotë eksperti Emmanuel Droit, profesor në Universitetin Sciences Po në Strasburg, duke përshkruar pasojat e mundshme të një bashkëjetese të tillë me një shumica parlamentare nga kampi politik kundërshtar. "Në këtë konstelacion forcash, fuqia e tij do të ishte shumë e kufizuar."

Demokracia në krizë

Por as një shumicë e qartë e opozitës në raundin e parë nuk do të garantonte ndryshimin e qeverisë, sepse zgjedhjet në 577 njësitë zgjedhore bazohen në sistemin e shumicës. Nëse asnjë kandidat nuk merr shumicën prej 50 % në raundin e parë, duhet të mbahet edhe raundi i dytë mes dy kandidatëve të parë. Kjo e bën të vështirë parashikimin e rezultatit.

Frankreich Macron und Melenchon
Macron dhe MelenchonFotografi: LUDOVIC MARIN/AFP

Si "Rassemblement National" ashtu edhe populistët e majtë nga "La France Insoumise" (LFI) rreth Jean-Luc Mélenchon aktualisht po përpiqen të përfitojnë nga rezervat ndaj Macronit dhe t'i shndërrojnë zgjedhjet parlamentare në një "votim të tretë”. Në dy votimet për president në prill, liderët e këtyre partive përfunduan në vendin e dytë dhe të tretë pas Macronit. Ndërsa socialistët dhe konservatorët, që kanë qenë në pushtet për dekada të tëra, nuk kanë arritur të futen madje as në parlament, sepse kanë dështuar të kalojnë pragun zgjedhor prej pesë përqind.

Megjithatë, vetëm populisti i majtë Jean-Luc Mélenchon, ka shanse të bëhet kryeministër. Edhe pse Marine Le Pen fitoi më shumë se 13 milionë vota në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, perspektiva zgjedhore e RN në qershor është më e dobët, ndër tjerash edhe për shkak të mungesës së kandidatëve të përshtatshëm. Udhëheqësi i përkohshëm i partisë Jordan Bardella paraqiti synime modeste këtë javë. Sipas tij, edhe hyrja në Asamblenë Kombëtare me një grup parlamentar prej të paktën 15 deputetësh do të ishte sukses - partia aktualisht ka vetëm pesë vende të tjera në parlament krahas asaj të Marine Le Pen.

Aleanca historike e majtë

Jean-Luc Mélenchon, nga ana tjetër, ka arritur një sukses të madh politik. Kritiku i BE-së dhe Gjermanisë ka krijuar aleancën elektorale "Nouvelle Union Populaire Écologique et Sociale" (NUPE) me socialistët, komunistët dhe të Gjelbrit. Një projekt që u konsiderua utopik vetëm pak javë më parë.

Deutschland I Frankreichs Präsident Macron trifft Bundeskanzler Scholz in Berlin
Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

"Bashkimi i ri i popullit" kandidon me vetëm një kandidat në secilën prej 577 njësive zgjedhore, me qëllim që partitë të mos rrëmbejnë votat nga njëra-tjetra. Vetë Mélenchon nuk lodhet kurrë duke e shpallur veten si kryeministër i ardhshëm, i cili premton një ndryshim rrënjësor në politikën e brendshme dhe të jashtme. Mélenchon kundërshton bashkëpunimin konstruktiv midis Francës dhe BE-së. Marrëdhënia me Berlinin gjithashtu do ishte në shënjestër, pasi Mélenchon e konsideron tandemin franko-gjerman të vjetëruar plotësisht.

Politologu Droit aktualisht sheh një dinamikë politike në favor të Mélenchon, e cila do të mobilizojë votues të shumtë të majtë. Një risi në historinë e Republikës së Pestë, sepse deri më tani shumë mbështetës të kandidatëve të mundur kanë qëndruar larg qendrave të votimit në zgjedhjet parlamentare, pas humbjes eventuale të partive të tyre në zgjedhjet presidenciale. Në të kaluarën, kjo sjellje i siguronte presidentit edhe shumicën e nevojshme në Asamblenë Kombëtare për të qeverisur.

Frankreich Lille | Poster mit Jean-Luc Melenchon
Fotografi: Michel Spingler/AP/picture alliance

Parashikimet e vështira

Pavarësisht popullaritetit të së majtës, në sondazhe nuk parashikohet që ajo të ketë shumicën e domosdoshme për krijimin e qeverisë. Mélenchon mund të fitojë nga 135 deri në 165 vende, thuhet në analizat e institutit OpinionWay. Nga ana tjetër, aleanca e Macronit, do të mbronte shumicën parlamentare, pavarësisht kritikave të shumta, me 310 deri në 350 vende, thuhet në sondazhe.

Eksperti politik Emmanuel Droit pret gjithashtu që Macron të marrë shumicën në parlament për mandatin e tij të dytë. Sipas kushtetutës, sistemi i shumicës do të thotë se oferta e moderuar politike në fund mbizotëron: "Jean-Luc Mélenchon thotë se francezët mund të dalin në pension në moshën 60-vjeçare. Por njerëzit e dinë se kjo nuk është e realizueshme. Edhe programi i tij i politikës së jashtme, me kritikat masive ndaj BE-së dhe afërsia me shtetet autokratike, po përballet me rezerva."

A i duhet Francës ndryshimi i sistemit zgjedhor?

Në politikën e përditshme, me një shumicë të gjerë të Macronit, Parlamenti ndoshta nuk do të merrte rolin korrigjues të politikës së presidentit as në pesë vitet e ardhshme - pavarësisht rezistencës së madhe ndaj programit të Macronit. "Ne kemi një krizë të demokracisë përfaqësuese në Francë”, u ankua Emmanuel Droit në një intervistë për DW.

"Partitë dhe sindikatat nuk e përmbushin më detyrën e tyre si ndërmjetës politikë. E kjo është arsyeja pse shumë politikanë - jo vetëm nga radhët e RN dhe LFI, por edhe në kampin e presidentit - po bëjnë thirrje për një reformë të ligjit zgjedhor. Një zgjidhje e mundshme do të ishte sistemi proporcional i zgjedhjeve”.

Vjeshta e nxehtë

Macron premtoi një "dozë përfaqësimi proporcional" pas zgjedhjes së tij të parë si president. Këtë e përsëriti edhe në fushatën aktuale zgjedhore. Presioni ndaj presidentit për këtë çështje është i madh, por një vendim i shpejtë nuk pritet. Nga ana tjetër, duket e parashikueshme që opozita politike pas lëvizjes së jelekverdhëve tre vjet e gjysmë më parë të formohet sërish në rrugë, edhe në mandatin e dytë të Macronit. Emmanuel Droit: "Për fat të keq, kjo është ajo që duhet të kemi frikë për vjeshtën. Për shumë francezë, rruga është mënyra e fundit dhe e vetme për të artikuluar synimet e tyre. Njerëzit në Francë e shohin rrugën si një vend të demokracisë nga poshtë."