1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Preshevë në dialog me qeverinë e Serbisë

Jeton Ismaili26 Shkurt 2013

Çështjet kontestuese në Luginën e Preshevës mund të zgjidhen gjatë këtij viti, sinjalizojnë përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve dhe zyrtarët e qeverisë së Serbisë.

https://p.dw.com/p/17m1U
Wikipedia :http://commons.wikimedia.org/wiki/File:View_of_Pre%C5%A1evo.JPG Preševo (kyrillisch Прешево; albanisch Presheva oder auch Preshevë) ist eine Stadt und Hauptort der gleichnamigen Opština im äußersten Süden Serbiens. Sie liegt im Flusstal der Morava an der Grenze zu Mazedonien und dem Kosovo. Die Opština Preševo hat eine Fläche von 264 Quadratkilometern und umfasst 34 Ortschaften, in denen 34.904 Menschen leben (Volkszählung 2002). 89,1 Prozent der Bewohner sind Albaner, damit ist Preševo die größte mehrheitlich albanische Opština in Zentralserbien.
Fotografi: cc-sa-by-Planeti

Palët kanë zhvilluar një takim në Bujanoc ( më 25.02.2013 ) i cili u cilësua si nismë e dialogut, duke bërë të ditur se intensiteti i bisedimeve do të shtohet gjatë muajve në vijim. Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Riza Halimi, e përshëndeti filllimin e bisedimeve me Beogradin duke e vlerësuar këtë si të vetmen rrugë për zgjidhjen e problemeve. "Shpresojmë që qeveria në Beograd ta trajtojë seriozisht problemin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Është shumë me rëndësi që në vazhdimin e bisedimeve të inkuadrohen edhe ministritë përkatëse, sepse vetëm kështu mund të arrijmë t'i zgjidhim problemet tona", deklaroi pas takimit pesë orësh, deputeti Riza Halimi.

Ai mirëpriti edhe rolin e OSBE-së, e cila do të ndërmjetësojë midis palëve deri në zgjidhjen e kënaqshme të çështjeve problematike. Kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi deklaroi, se pala shqiptare i ka dorëzuar tashmë qeverisë serbe një dokument, ku janë përcaktuar konturet e zhvillimit të dialogut, që kanë të bëjnë me nëntë pika mbi problemet kyçe me të cilat ballafaqohen shqiptarët. "Në radhë të parë kërkojmë stabilizimin e gjendjes së sigurisë, largimin e forcave speciale nga rajoni, inkuadrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, zgjidhjen e probleve në arsim, gjyqësi, shëndetësi, rimëkëmbjen ekonomike, etj.", bëri të ditur Arifi.

Serbia e mirëprit nismën e bisedimeve

Kryetari i Trupit Koordinues qeveritar për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, Zoran Stankoviq, shprehu shpresën se do të gjendet zgjidhja për problemet në Luginë. "Është me rëndësi që të gjithë jemi dakord, se problemet mund t'i zgjidhim me dialog dhe përmes institucioneve të Republikës së Serbisë", deklaroi Stankoviq. Ai përmendi edhe ndihmën financiare, që sipas tij, Beogradi po e ofron për rivitalizimin e gjendjes sociale në komunat e jugut të Serbisë. Zyrtari qeveritar vuri në dukje fillimin e ndërtimit të fakultetit ekonomik në Bujanoc si dhe përfundimin e punimeve për maternitetin në Preshevë.

Por pavarërisht fillimit të bisedimeve, shoqëria civile është shprehur me skepticizëm në mbarëvajtjen me sukses të tyre. Valon Arifi nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, nuk parashikon ndonjë rezultat pozitiv nga ky dialog. "Zoran Stankoviq si përfaqësues i Beogradit nuk ka ndonjë peshë politike në qeveri. Ai nuk është pjesë e ngushtë e kabinetit qeveritar dhe si i tillë nuk e ka autoritetin e duhur të meret me çështjet mjaft serioze, që e preokupojnë Luginën", thotë Arifi.

Problemi i Luginës së Preshevës u riaktivizua gjatë muajit janar të këtij viti me ngjarjet rreth lapidarit kontestues të dëshmorëve të UÇPMB-së. Spektri politik shqiptar u rishfaq me kërkesat politike duke e trajtuar rajonin e Luginës si një zonë të diskriminuar nga Serbia.

Prëveç faktorit ndërkombëtar, liderët shqiptarë kërkuan edhe ndihmën e Kosovës dhe të Shqipërsisë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Kërkesat kryesore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të bazuara në receprocitetin midis pozitës së serbëve të Kosovës me atë të shqiptarëve në Serbi.

Gjatë viteve 2000-2001 Lugina e Preshevës u shndërrua në një zonë konflikti midis Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe forcave serbe të sigurimit. Pas ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar iu dha fund konfliktit me një marrëveshje për çarmatimin e guerilës shqiptare dhe me miratimin e një plan-programi të qeverisë serbe për zgjidhjen e krizës politike dhe ekonomike në rajon.

Pala shqiptare edhe më tej insiston se Serbia asnjëherë nuk e ka rrespektuar këtë plan, i cili parashikon që shqiptarët të gëzojnë të drejtat e tyre individuale dhe kolektive konform standardeve ndërkombëtare.