1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi Tahiri në Tiranë - Prokuroria kërkon 12 vjet burg

10 Shtator 2019

Në Tiranë zhvillohet procesi kundër ish-ministri të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokuroria ka kërkuar dënim me burg 12 vjet.

https://p.dw.com/p/3PLFx
Symbolbild Deutschland Justiz
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Në procesin kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në Tiranë, gjatë së martës (10.07) Prokuroria e Krimeve të Rënda lexoi pretencën ndaj Saimir Tahirit, ish-ministrit të akuzuar për veprat penale "korrupsion të zyrtarëve të lartë”, "pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”  dhe "trafik  të lëndëve narkotike”. Organi i akuzës kërkon dënimin e Tahirit me 12 vite heqje lirie, por për shkak se më herët ish-ministri kërkoi gjykimin e shkurtuar, në bazë të ligjit shqiptar atij i ulet 1/3 e dënimit. Saimir Tahiri akuzohet se ka favorizuar katër episode të trafikut të drogës. Prokurorët e çështjes kërkuan të njëjtin dënim edhe për ish-drejtorin e policisë së Vlorës, Jaeld Ccela, i gjykuar në mungesë, gjithashtu i përfshirë në rrjetin kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të cilët rezultojnë të kenë lidhje farefisnore me Tahirin. Seanca gjyqësore  ka nisur që në orët e para të mëngjesit të së martës dhe bëhet e ditur se ish-ministri i Brendshëm i ka parashtruar personalisht konkluzionet e mbrojtjes.

Që në krye të herës Tahiri ka pretenduar se gjyqi është i montuar politikisht dhe se organi i akuzës nuk ka asnjë provë ndaj tij. Hetimet ndaj ish-ministrit  nisën në tetorin e dy viteve më parë, pas publikimit të disa përgjimeve mes anëtarëve të grupit "Habilaj”, ku përmendej dhe emri i ish-ministrit si i implikuar drejtpërdrejt dhe pretendohej se atij dhe familjarëve u ishin blerë dhurata të shtrenjta. Më herët nga nisja e këtij procedimi penal u arrestuan në Itali për "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” edhe vëllezërit Habilaj.

 

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani