1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prodhuesi më i madh europian i automobilëve, Volkswagen AG, do të jetë në ardhmen një sipërmarrje si gjithë të tjerat

24 Tetor 2007

Rrëzimi i ligjit Volkswagen nga Gjykata Europiane dhe konflikti me kurdët në veri të Irakut trajtohen sot gjerësisht në të përditshmet gjermane

https://p.dw.com/p/Bvup
Ligji Volkswagen bie ndesh me rregullat e tregut të lirë të BE-sëFotografi: AP

Ligji për mbrojtjen e kompanisë së prodhimit të makinave Volkswagen AG nga blerja e detyruar është në kundërshtim me të drejtën e BE-së. Për këtë arsye ai është shpallur pjesërisht i pavlefshëm nga Gjykata Europiane. Gjykatësit në Luksemburg vendosën se ligji tremb investuesit dhe pengon kështu qarkullimin e lirë të kapitalit në BE. Sipas ligjit të njohur me emrin "Ligji Volkswagen" i cili vlen që prej vitit 1960 asnjë aksioner i Volkswagenit nuk mund të përfaqësohet në asamblenë e aksionerëve me më shumë se 20 për qind të votave edhe atëherë kur kuota e kapitali që zotëron është më e lartë.

Mbi këtë temë "Stuttgarter Zeitung" shkruan:

"Për koncernin Volkswagen fillon një llogaritje e re kohe. Me vullnetin e Gjykatës Europiane prodhuesi më i madh europian i automobilëve do të jetë në të ardhmen një sipërmarrje si gjithë të tjerat. Fakti që gjykatësit rrëzuan privilegjet për aksionerë shtetërorë si landi i Saksonisë së Poshtme apo kufizimin e të drejtës së votës me 20 për qind në të vërtetë nuk të habit. E habitshme është shumë më tepër që ligji Volkswagen ka vlejtur gati 50 vjet dhe askush nuk e ka kundërshtuar atë deri në ngritjen e padisë nga Komisioni i BE-së."


"Der Tagesspiegel" nga Berlini komenton:

"Çfarë është fituar në të vërtetë me shfuqizimin e ligjit Volkswagen? Ata që gëzohen se Volkswageni pasi të blihet nga Porsche do të bëhet brenda natës me rentabël gëzohen para kohe. Volkswageni do të vazhdojë të ruajë dimensionin e tij politik pasi me më shumë se 100 miliardë euro xhiro dhe 320.000 punonjës ai është tepër i madh për t'u marrë vetëm me veten e tij. Edhe raportet mes të punësuarve (95 për qind e tyre janë anëtarë të sindikatës së metalurgjisë IG Metall) dhe punëdhënësve në kompaninë Volkswagen do të vazhdojnë të jenë të veçanta ashtu siç janë në fund të fundit tek të gjithë prodhuesit e automobilëve. Për punëdhënsit kjo nuk do të thotë patjetër një disavantazh dhe këtë e dëshmoi marrëveshja për javën me 33 orë pune pa kompensim page."

Dhe së fundi mbi këtë temë shkëpusim nga "Kieler Nachrichten":

"Sot një kompani e mbështjellë në pambukun e ngrohtë të mbështetjes shtetërore nuk arrin më t'i shmanget ndikimit të globalizimit dhe rregullave të tregut botëror. Edhe pronarët publikë janë të shtrënguar të ndërmarrin ndërhyrje të dhimbshme dhe jo popullore si pushimet masive nga puna apo mbyllja e fabrikave, kur është fjala për të ruajtur aftësinë konkurruese të kompanisë. Por këto janë për momentin vetëm supozime teorike. Volkswagen ka një pozitë stabile në treg dhe fiton mirë."

Ndërrojmë temë. Konflikti mes Turqisë dhe luftëtarëve kurdë në veri të Irakut zë edhe sot vend në faqet e shtypit gjerman.

Mbi këtë temë lexojmë në "Wiesbaderner Kurier":

"Në fund janë SHBA si pushtues në Irak që duhet të sigurojnë që nga ky territor nuk kryhen sulme kundër partnerit në Nato, Turqisë. Nëse Uashingtoni këtë e arrin përmes presionit ndaj liderëve të kurdëve Barzani dhe Talabani apo në rastin më të keq përmes ndërhyrjes direkte në veri të Irakut me trupat e veta, është çështje e dorës së dytë. Për Turqinë sidoqoftë shkallëzimi aktual i konfliktit që u kushton çdo ditë jetën dhjetëra njerëzve në jug të vendit është i papranueshëm. Qeveria e kryeministrit Erdoan nuk mund të vazhdojë edhe më me qëndrimin e saj të matur përballë protestave masive në rrugë kundër terrorit kurd dhe përballë një ushtrie gati për sulm."

Ndërsa "Münchner Merkur" vlerëson:

"Ankaraja deri më sot nuk e ka konsideruar të nevojshme të përpiqet për gjetjen e një rruge pajtimi me kurdët, një populli pa hapësirë dhe atdhe të sigurtë. Ndryshe Iraku ku krahina kurde është ngritur në nivelin e një rajoni autonom dhe ku aktualisht është krijuar zona e vetme e sigurtë dhe e qetë në një vend të përfshirë nga lufta. Kjo është një arsye vendimtare pse qeveria në Bagdad në të cilën fjala e kurdëve ka mjaft peshë e ka të vështirë të ndërmarrë masa të ashpra kundër luftëtarëve të PKK-së të cilët në krahinat autonome kurde në veri të vendit kanë bazat e tyre më të rëndësishme."