1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protokolli i Irlandës së Veriut: zgjidhje në horizont?

27 Shkurt 2023

Një samit i shpallur në minutën e fundit po ushqen shpresat se mund të arrihet një marrëveshje në konfkiktin e gjatë mbi rregullat e Brexitit për Irlandën e Veriut.

https://p.dw.com/p/4O2Ka
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe kryeministri britanik Rishi Sunak janë ulur krah për krah, me flamujt e BE-së dhe Britanisë në sfond.
Ursula von der Leyen dhe Rishi Sunak kur u takuan vitin e kaluarFotografi: Steve Reigate/empics/picture alliance

Tri vjet pas daljes formale të Britanisë nga Bashkimi Evropian, trajtimi i ardhshëm i Irlandës së Veriut duhet të zgjidhet përfundimisht. Zyra e kryeministrit britanik Rishi Sunak tha se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të mbërrijë të hënën për "bisedimet përfundimtare". Të dy udhëheqësit ranë dakord të "vazhdojnë punën e tyre personalisht për të gjetur zgjidhje të përbashkëta dhe praktike për sfidat komplekse të paraqitura nga Protokolli për Irlandën dhe Irlandën e Veriut", sipas një deklarate të përbashkët.

Sunaku dëshiron të sigurojë që marrëveshja e kërkuar me BE të garantojë "fluksin e lirë të tregtisë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar", të sigurojë vendin e Irlandës së Veriut brenda Britanisë dhe "t'i rikthejë sovranitetin popullit të Irlandës së Veriut", u bë e ditur nga Londra. Mediat britanike kanë raportuar tashmë se një marrëveshje është pothuajse e përfunduar. Von der Leyen i kishte përshkruar së fundmi negociatat me qeverinë britanike si "shumë konstruktive".

Thelbi i sherrit: Protokolli për Irlandën e Veriut

I ashtuquajturi Brexit ndodhi në 31 janar 2020. Protokolli i Irlandës së Veriut, i cili ende nuk është zbatuar plotësisht, parashikon që provinca britanike të jetë ende pjesë e tregut të brendshëm të BE-së, gjë që krijon një kufi doganor de facto në Detin Irlandez. Qëllimi i protokollit është të mbajë të hapur kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Irlandës anëtare të BE dhe të sigurojë paqen në Irlandën e Veriut në përputhje me të ashtuquajturën Marrëveshje të së Premtes së Mirë të vitit 1998.

Unionistët e Irlandës së Veriut e shohin protokollin të papranueshëm, ata kanë frikë për anëtarësimin e rajonit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Londra kishte rifilluar negociatat me Brukselin për protokollin, kryesisht duke argumentuar se marrëveshja pengonte lëvizjen e mallrave brenda Mbretërisë së Bashkuar.

aud/wa (afp, rtr, dpa)