Putin në Kherson dhe Luhansk sipas Kremlinit
18 Prill 2023Presidenti rus Vladimir Putin vizitoi sipas të dhënave zyrtare garnizonet ushtarake në pjesët e pushtuara të rajoneve Kherson dhe Luhansk të Ukrainës. Në Kherson, Putini mori pjesë në një takim të komandës, tha zyra presidenciale në Moskë. Komandantët e trupave ajrore dhe grupit të ushtrisë "Dnjepr", si dhe oficerë të tjerë të rangut të lartë, e informuan Putinin për situatën në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhya të Ukrainës jugore, të aneksuar nga Rusia.
Përveç kësaj, shefi i Kremlinit vizitoi selinë e Gardës Kombëtare në rajonin Luhansk në Ukrainën lindore, e cila gjithashtu u aneksua nga Rusia vitin e kaluar në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Data e këtyre vizitave nuk u bë e ditur.
SHBA modernizon Flotën Ajrore Turke
SHBA i janë përgjigjur pozitivisht dëshirës së Turqisë për të modernizuar flotën e saj ajrore, por nuk kanë miratuar edhe më tej shitjen Turqisë të avionëve të rinj luftarakë F-16. Zyrtarët e komitetit të Kongresit të SHBA kanë dhënë miratimin për modernizimin e F-16-ve ekzistues të Turqisë, thanë zyrtarët e Uashingtonit. Presidenti Joe Biden do të miratojë modernizimin e avionëve turq F-16.
Nga ana tjetër, Kongresi vazhdon të refuzojë kërkesën e Turqisë për të blerë F-16 të rinj me vlerë prej disa miliardash dollarë. Miratimi për modernizimin pason votën pozitive të Ankarasë për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake të NATO-s. Vëzhguesit besojnë se tensioni politik midis Turqisë dhe Greqisë luajti gjithashtu një rol.
Fillimisht mbështetje e anëtarësimit të Suedisë në NATO
Burimet e Kongresit thanë gjithashtu se Ankaraja më parë duhet të pranojë anëtarësimin e Suedisë në NATO përpara se të blejë F-16 të rinj. Për më tepër, Turqia duhet të heqë dorë nga kërcënimi i saj për të pushtuar zonat kurde në veri të Sirisë dhe të respektojë sanksionet kundër Rusisë.
Pas dekadash mosangazhimi ushtarak, Suedia iu bashkua Finlandës në aplikimin për anëtarësim në NATO në maj 2022, nën ndikimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Ndërsa Finlanda fqinje u anëtarësua në NATO më 4 prill me miratimin e të gjitha vendeve anëtare, Suedia është ende në pritje të dritës së gjelbër nga Turqia dhe Hungaria.
"Brazili i bën jehonë propagandës"
SHBA kanë hedhur poshtë me forcë akuzat e presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva se po e zgjasin luftën në Ukrainë. "Në këtë rast, Brazili përsërit propagandën ruse dhe kineze pa i parë as faktet," u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby. Vërejtjet e Lulas për luftën në Ukrainë janë "thellësisht problematike", shtoi ai.
Gjatë një vizite në Kinë këtë fundjavë, presidenti brazilian i kishte kërkuar SHBA të përfundonin mbështetjen ushtarake për Ukrainën. SHBA duhet të "ndalojnë nxitjen e luftës dhe të fillojnë të flasin për paqen", tha politikani i majtë.
Ministri i Jashtëm brazilian Mauricio Vieira ripohoi interesin e vendit të tij për një zgjidhje paqësore dhe kritikoi sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë. Masa të tilla kanë pasoja negative, veçanërisht në ekonominë e vendeve në zhvillim, tha Vieira gjatë një vizite të ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në kryeqytetin Brasilia. Brazili, i cili është një nga prodhuesit kryesorë bujqësor në botë, varet nga plehrat kimike që merr nga Rusia.
aud (dw/afp, rtr, dpa)