Putin nënshkruan aneksimin kundër së drejtës ndërkombëtare
30 Shtator 2022Presidenti rus Vladimir Putin gjatë një akti ceremonial të transmetuar në televizion nënshkroi dokumentat e aneksimit. Edhe krerët e pushtimit të katër territoreve, Denis Pushilin (Donjeck), Leonid Pasetshnik (Luhansk), Vladimir Saldo (Kerson) dhe Jevgeni Balizki (Saporishshja), nënshkruan marrëveshjen. Ankesimi nuk njihet ndërkombëtarisht.
Në fjalimin e tij Putini deklaroi, se me këtë "është plotësuar dëshira e miliona njerëzve". "Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vullneti i miliona njerëzve, për t'u kthyer në atdheun e tyre historik", tha ai. Shpërbëbrjen e Bashkimit Sovjetik përpara 30 vjetësh ai e cilësoi në këtë kontekst si një tragjedi.
Putin: Udhëheqja e Kievit përbëhet nga neonazistë
Edhe një herë ai akuzoi udhëheqjen ukrainase, se përbëhet nga neonazistë. Sepse luftën sulmuese ruse në Ukrainë ai e justifikoi në fjalimin e tij si rivendosje të drejtësisë historike dhe të çlirimit të Rusisë nga shtypja perëndimore. Ai i bëri thirrje Kievit dhe Perëndimit, të ndërpresin veprimet luftarake dhe të fillojnë bisedimet.
Njerëzit në Kerson, Donjeck, Luhans dhe Saporishshja që nga ky moment janë shtetas rusë - "e kjo përgjithmonë". Qysh një natë më parë kreu i Kremlinit përmes një veprimi tjetër kundër së drejtës ndërkombëtare i njohu si shtetet të pavarura rajonet e pushtuara ukrainase Kerson dhe Saporishshja. Nga këndvështrimi i Moskës kjo ka si parakusht që rajonet mundën të aplikojnë për pranimin në Federatën Ruse. Donjeck dhe Luhansk Putin i pati shpallur përpara fillimit të luftës para shtatë muajsh si „republika të pavarura".
Referendumet: Asnjë standard minimal demokratik
Deri në fillim të javës në të katër rajonet u zhvilluan referendumet nën kontrollin e administratës ushtarake ruse me pseudo-votime për antarësimin në Rusi. Pas kësaj pushtuesit rusë u shprehen për një miratim të popullsisë me shumicë dërmuese.
Pseudoreferendumet për antarësimin e rajoneve të pushtuara në jug e lindje të Ukrainës nuk njihen në mbarë botën. Arësyeja është, se ato janë zhvilluar duke shkelur ligjet ukrainase dhe ato ndërkombëtare pa asnjë standard minimal demokratik. Votimi nuk është verifikuar nga vëzhgues të pavarur. Po ashtu ka pasur mjaft njoftime, që banorët e rajoneve janë vënë nën presion.
Zëdhënësi i Kremlinit bën fjalë për sulm bërthamor
Katër territoret deri tani nuk kontrollohen plotësisht nga Rusia. Nga ana tjetër ushtria ukrainase ka nisur një kundërofensivë, në valën e së cilës ka rifituar territor në rajonin e Donjeckut. Udhëheqja ruse së fundi herë pas here ka deklaruar, se të tilla sulme këtej e tutje do të konsiderohen si sulme kundër territorit shtetëror rus dhe „reagimi do të jetë me të gjitha mjetet në dispozicion".
Ky kërcënim u përsërit edhe nga Putin gjatë fjalimit të tij.
Këto deklarata ngjallën spekulimet për një sulm të mundshëm bërthamor. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov megjithatë i hodhi poshtë këto reagime. Referimet ndaj doktrinës ushtarake ruse, sipas së cilës një sulmi ndaj kufijve shtetëror rus mund t'i kundërpërgjigjesh me një sulm bërthamor, ai i konsideroi të pasakta. Në doktrinën ushtarake thuhet, se Rusia mund të reagojë ndaj sulmeve me një sulm atomik, në rast se rrezikohet ekzistenca e shtetit.
Pa „kufij të saktë"
Rusia duhet „sqarojë" tani „kufijtë e saktë" të katër rajoneve ukrainase, tha Peskov. „Republikat Popullore" Donjeck, Luhansk do të njihen nga Rusia „në kufijtë e tyre të vitit 2014", tha zëdhënësi i Kremlinit. Lidhur me rajonet Kerson dhe Saporishshja "më duhet ta sqaroj, tani unë nuk mund t'i përgjigjem kësaj pyetjeje", shtoi Peskov dy orë pas ceremonisë zyrtare.
nob/rb (dpa, afp, ap)