Putini sheh shanse të reja për marrëdhënie më të mira me BE
6 Qershor 2018"Për rindërtimin e formatit të plotë të bashkëpunimit tonë nuk është e interesuar vetëm Rusia, janë të interesuar edhe miqtë tanë evropianë", tha Presidenti rus Vladimir Putin në vizitën e tij të punës në Vjenë. Me këtë Putini kishte parasysh një fillim të ri gradual të marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Është në vazhdim e sipër një dialog me përfaqësues të Brukselit, për t'i rimarrë mekanizmat dhe instrumentat e bashkëpunimit, tha Presidenti rus. Këto diskutime janë "shumë konstruktive, por jo të lehta". Sanksionet aktuale janë të dëmshme për të gjithë, u shpreh ai.
Austria synon ta shfrytëzojë Presidencën e saj në Këshillin e Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të këtij viti për t'i rigjallëruar sërish marrëdhëniet midis BE dhe Rusisë, tha Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz (ÖVP). "Ne besojmë se një situatë win-win është më e mirë për të dyja palët se një situatë lose-lose".
Tone qetësuese nga Moska
Që para se të mbërrinte në Vjenë, me një intervistë që i dha Radiotelevizionit Austriak (ORF) Putini u shpreh me tone qetësuese. Ai i kundërshtoi kritikat se vendi i tij synon ta përçajë Bashkimin Evropian. "Ne nuk ndjekim synimin për të përçarë diçka apo dikë në Bashkimin Evropian", tha ai. Rusia përkundrazi është e interesuar që Bashkimi Evropian, si partneri më i rëndësishëm tregtar dhe ekonomik "të jetë i bashkuar dhe të lulëzojë". Sa më shumë probleme që të ketë BE, aq më shumë probleme ka edhe Rusia, u shpreh më tej Putini. Putini kundërshtoi edhe pohimin se partia e tij Rusia e Bashkuar ka marrëdhënie me partinë populiste të djathtë FPÖ, e cila është në koalicionin qeveritar në Austri.
Kjo ishte vizita e gjashtë e Putinit në kryeqytetin austriak. Të dyja vendet i lidhin tradicionalisht marrëdhënie të ngushta dhe miqësore. Republika e Alpeve preferon ta shohë veten si ndërtuese urash diplomatike mes Perëndimit dhe Lindjes. Shkas për vizitën aktuale ishte përvjetori i 50-të i marrëveshjes së parë të furnizimit me gaz midis Austrisë dhe Bashkimit Sovjetik.t-Pi
R