Asambleja Parlamentare e NATO-s mblidhet në Tiranë
29 Maj 2016Në Tiranë po zhvillon punimet (28.05 - 30.05) Asambleja Parlamentare e NATO-s , sesioni i pranverës. Burime zyrtare nga Zyra e shtypit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Bruksel. pohojnë për DW se agjenda e këtij sesioni është përqendruar në rruget dhe menyrat sesi Aleanca Euro-Atlantike do të përballojë sfida të tilla si Rusia, kërcënimet terroriste, konflikti në vijim në Irak dhe Siri, emigracioni dhe perhapja e raketave dhe e armeve te shkatërrimit në masë.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATOS, kongresmeni Amerikan Michael R. Turner, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e delegacionit të Shqipërisë në NATO, Pandeli Majko, vuri ne dukje ndryshimin e mjedisit gjeo-politik ku vepron NATO për shkak të Rusisë. “Jemi në një mjedis të ndryshëm ngaqë Rusia e ka deklaruar NATO-n kundershtare. Prandaj NATO-s i duhet të rimbrohet” - theksoi ai. Në kete kontekst Turner vuri në dukje se qe te dyja rrugët: dialogu me Rusinë dhe masat parandaluese - duhet të ecin krah për krah.” Asnjë pjesë e dialogut nuk mund të zvogëlojë nevojën për mbrojtje kolektive dhe masa parandaluese, përfshirë edhe parandalimin bërthamor.” tha ai.
Dialog dhe masa parandaluese krah për krah
Nga Tirana Turner u bëri apel 28 vendeve anëtare të Aleancës të sigurojnë aleatë afër kufijve të Rusisë me Evropën Lindore dhe shtetet balltike, gjë që mund të realizohet “duke rritur praninë e NATO-s në rajon dhe siguruar që përforcimet mund të lëvizin me shpejtësi nëse është e nevojshme” tha ai. Turner e vlerësoi Shqipërine” një vend anëtar, nje aleat të sigurtë dhe të besueshëm të NATO-s. “Mbështetja dhe advokimi i Shqipërisë per zgjerimin e NATO-s me vendet e rajonit eshte shume e rëndësishme” tha ai.
Dyert e NATOs mbeten të hapura- shembulli i Malit të Zi model për rajonin
Kryetari delegacionit të Shqipërisë në NATO, deputeti socialist, Pandeli Majko, mirëpriti vendimin e NATO-s për të ftuar vendin fqinj, Malin e Zi për t' u bërë vendi i 29-të, anëtar i Aleancës Euro-Atlantike.
“Ky është absolutisht një lajm i mirë që do të forcojë stabilitetin në rajon dhe do të jetë një shembull për vendet e tjera si Maqedonia , Bosnjë- Herzegovina, pse jo edhe Kosova dhe Serbia, në një të ardhme jo të largët” theksoi ai.
Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Turner tha se “Zgjerimi i NATO-s me vende nga rajoni i Ballkanit ështe në rradhe të parë siguri dhe mbrojtje kolektive për Ballkanin.Mali i Zi mund të jetë një shembull për vende të tjera në rajon që aspirojnë anëtarësimin në NATO” vuti ne dukje Pandeli Majko. Ndersa Turner inkurajoi ne konferencen per shtyp qe “ çdo vend anëtar të NATO-s të përshpejtojë ratifikimin e anëtarësimit të Malit të Zi”.
NATO - mirëpret angazhimin e Shqipërisë kundër kërcënimeve terroriste.
President i Asamblesë Parlamentare te NATO-s, Michael Turner theksoi në Tiranë se ngjarjet në Evropë tregojnë që terrorizmi “është një kërcënim ndërkombëtar”. Ai e vlerësoi Shqipërinë “shumë mbështetëse në përballjen e Aleancës me sfidën e luftës kundër terrorizmit”.
Në këtë kuadër, lidhur me ngritjen dhe funksionimin në Tiranë të Qëndrës Rajonale kundër Terrorizmit dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj, e pyetur nga DW, Eva Svobodova, këshilltare e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s , gjeneralit Petr Pavel, deklaroi se: “NATO mirëpret përpjekjet nga aleatët për të luftuar kërcënimet terroriste. Luftëtarët e huaj janë një shqetësim serioz. Aleatët janë duke punuar për t'u përballur me këto kërcënime duke përfshirë rritjen e shkëmbimit të informacionit” .
Në përfundim të punimeve të saj Asambleja Parlamentare e NATO-s pritet të dalë me një projektdeklaratë për agjendën e samit të NATO-s që do të mbahet në Varshavë, nga 7- 8 korrik 2016.