210811 Weltjugendtag Abschlussgottesdienst
21 Gusht 2011Çifti mbretëror spanjoll kishte një vend nderi, të cilin ia kishin zili të gjithë të pranishmit në meshë. Dy karrige në hije dhe direkt pranë altarit të bardhë, ku Papa Benedikt XVI. celebroi meshën e fundit të Ditëve botërore të Rinisë. Nën hijen e një peme artificiale, që dominonte altarin e madh të ngritur në pistën e aeroportit Vientos Cuatro, ku ishin mbledhur më shumë se një milion të rinj. Shumica e tyre e kishin kaluar jashtë natën, e cila qe e qetë pas stuhisë me erë dhe shi të madh të së shtunës (20.8.). Megjithatë shumë të rinjve u dukej lodhja në fytyrë, pas një natë me pak gjumë dhe ditëve të nxehta në Madrid.
Forcimi i besimit
Në predikim Benedikt XVI. u bëri thirrje të rinjve katolikë të mbledhur në Madrid të forcojnë besimin e tyre dhe ta çojnë atë më tej. Për Papën është e qartë, besimi i vërtetë ekziston vetëm në unitetin me kishën. Askush nuk duhet dhe mund ta bëjë vetë besimin e tij: "Jezusin nuk mund ta ndiqni të vetëm. Kush i nënshtrohet tundimit, që ta ndjekë Jezusin “në mënyrën e tij ", apo të jetojë besimin në përputhje me pikëpamjet individualiste mbizotëruese në shoqëri, është në rrezik, të mos e takojë kurrë Jezu Krishtin, apo të takojë shpërfytyrimin e tij."
Qëndrimi ndaj homoseksualëve
Nga brohoritjet e fuqishme dhe nga moria e të rinjve Benedikti nuk verbohet. Ai e di se shumë të rinj në Madrid festojnë papën dhe kishën, por së brendshmi janë larguar nga shumë pjesë të moralit dhe doktrinës katolike. Për sa i përket lidhjeve homoseksuale, për shembull, Steffi nga qyteti bavarez Weilheim nuk pajtohet me Benediktin dhe ndjehet e sulmuar padrejtësisht nga kritikët Papës në Madrid: "Ky është fundja mendimi i Papës dhe jo i neve katolikëve. Ne jemi një brez krejt tjetër. Dhe mua më duket qesharake, që na fyejnë, sepse ne nuk jemi papa.”
Pjesëmarrje e madhe
Më shumë se 16 000 të rinj nga Gjermania kanë marrë pjesë në Ditën Botërore të Rinisë në Madrid. Për përfaqësuesin e të rinjve të Konferencës së Peshkopëve gjermane, ndihmësipeshkvin e Mynihut, Bernard Haßlberger, fjala këtu është për të jetuarit e frymës së bashkësisë mbarëbotërore.
"Që ata të ndjejnë se kisha është universale dhe gjithashtu e re, te ne në komunitetet tona ata shpesh gjejnë të kundërtën."
Ajo, që mbetet pas kësaj dite Botërore të Rinisë, është thirrja e Papës, që ta përçojnë më tej përvojën e Madridit. Të rinjtë, thotë Benedikti, duhet të jenë dishepuj dhe misionarë të Krishtit ".
"Besoni te Krishti gjithë jetën tuaj, dhe të ndihmoni miqtë tuaj, që edhe ata të mbërrijnë tek burimi i jetës, me Zotin.”
Aktivitet me karakter spanjoll
Kjo ishte një nga fjalitë e pakta, që Benedikti tha në gjuhën e tij amtare. Ditët botërore rinore, të zhvilluara në Madrid, kishin karakter shumë spanjoll. Të gjitha predikimet dhe fjalimet Papa i mbajti në gjuhën e vendit, jo si në takimet e kaluara, ku ai ka folur zakonisht në anglisht dhe frëngjisht.
Gjuha e Ditëvë të ardhshme Botërore të Rinisë do të jetë portugalisht. Ato do të mbahen në vitin 2013 në Rio de Janeiro ne Brazil. Këtë Papa Benedikti XVI. e bëri të ditur në fund të shërbesës fetare.
Autor: Tilmann Kleinjung
Redaktoi: Angjelina Verbica