1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310811 Israel Palästina UN

31 Gusht 2011

Palestinezët dëshirojnë që në fund të shtatorit në organet e OKB-së të votohet për anëtarësimin e plotë të Palestinës. Nëse ata dështojnë me këtë, rezultati mund të jetë një valë dhune në Bregun Perëndimor.

https://p.dw.com/p/12QWA
Përsëri dhunë midis Izraelit dhe palestinezëve në gusht 2011
Përsëri dhunë midis Izraelit dhe palestinezëve në gusht 2011Fotografi: dapd

Prej muajsh qeveria izraelite kundërshton nismën e palestinezëve në Kombet e Bashkuara. Ata duan që në shtator të kërkojnë në Nju-Jork anëtarësimin e plotë të Palestinës. Kryeministri Netanjahu dhe ministri i Mbrojtjes Ehud Barak duan të pengojnë me doemos suksesin e palestinezëve në Nju-Jork. Barak e prezanton kështu qëndrimin e Izraelit:

"Qoftë t'i drejtohesh Këshillit të Sigurimit, qoftë t'i drejtohesh Asamblesë së Përgjithshme, nuk është qasje produktive. Shumë më tepër produktive është të bëhen përpjekje për bisedime të  drejtpërdrejta pa parakushte. Por në të gjitha rrethanat ne do të përpiqemi që të parandalojmë një rrëshqitje në dhunë, apo në çdo lloj turbullire. Dhe ne shpresojmë, që rruga e drejtë do të mund të gjendet në javët e ardhshme."

Izraelitët marrin masa parandaluese

Megjithatë ushtria izraelite po përgatitet për më të keqen. Nëse palestinezët dështojnë në Kombet e Bashkuara, pasojë mund të jetë një valë e dhunës në Bregun Perëndimor. Për të mbrojtur vendbanimet, ushtria izraelite ka filluar të armatosë banorët me gaz lotsjellës dhe granata tymuese. Këtë e njofton gazeta izraelite "Haaretz". Ushtria ka frikë se palestinezët mund të zënë vend në udhëkryqet e mëdha, të rrethojnë vendbanimet izraelite dhe institucionet arsimore, apo të dëmtojnë simbolet e shtetit izraelit. Forcat pushtuese druhen edhe nga sulmet me të shtëna dhe sulmet terroriste, siç mësohet nga një dokument i brendshëm ushtarak. Ushtarët e ushtrisë dhe oficerët e sigurisë të kolonive hebraike duhet të bashkëpunojnë në mbrojtjen e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Ngulim izraelit
Ngulim izraelitFotografi: picture alliance/landov

Rreth vendbanimeve ushtria ka krijuar linja virtuale. Në qoftë se demonstruesit palestinezë kalojnë një linjë të gjelbër, do të dëbohen nga gazi lotsjellës dhe granatat tymuese. Në qoftë se ato lëvizin mbi vijën e kuqe, ushtarët kanë leje t'i qëllojnë demonstruesit në këmbë.

Presidenti palestinez bën thirrje kundër dhunës

Përsa i përket vullnetit të presidentit palestinez Abbas, nuk do të ketë përleshje të tilla. Por ai i ka bërë thirrje popullit të tij për të mbështetur njohjen e Palestinës në Kombet e Bashkuara në mënyrë aktive përmes demonstratave.

„Në qoftë se ne me të vërtetë e duam këtë, atëherë ne duhet ta bëjmë. Unë këmbëngul tek rezistenca popullore, por unë gjithashtu këmbëngul, që ajo të jetë një rezistencë jo e armatosur ."

Angazhimi i presidentit të palestinezëve për heqje dorë nga dhuna gjen vesh të shurdhër tek kolonët. Edhe ata armatosen, pa marrë parasysh bashkëpunimin me ushtrinë. Në muajt e fundit kolonët sipas njoftimeve të mediave izraelite kanë blerë kryesisht qen roje dhe qen luftarakë për t'u mbrojtur kundër demonstruesve dhe sulmuesve në shtator. Një firmë izraelite me emrin "batalioni i qenve civilë" është specializuar për këtë treg. Në internet kompania tregon, se si mund të mbrosh veten me ndihmën e qenve luftarakë kundër sulmuesve palestinezë.

Autor: Sebastian Engelbrecht / Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj