Qeveria e Polonisë proteston te diplomatë të lartë gjermanë
9 Korrik 2020Ministria e Punëve të Jashtme polake ka thirrur të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës gjermane në Varshavë. Ai i tha diplomatit gjerman Knut Abraham se qeveria polake proteston ashpër kundër faktit se "një seri artikujsh në mediat gjermane bazohen në manipulime dhe gënjeshtra", shkroi zëvendësministri i Jashtëm polak, Szymon Szynkowski vel Sek në Twitter. Mbulimi në media të caktuara gjermane jep përshtypjen e "paragjykimit në favor të një kandidati", tha ai. Me sa duket kjo është mënyra se si dëshirohet të ndikohet procesi zgjedhor demokratik, u tha.
"Kjo është poshtërsi!"
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda kishte kritikuar ditët e fundit raportimin e gazetës bulevardeske "Fakt". Kjo gazetë botohet në Poloni nga Ringier Axel Springer Media AG. Shtëpia e Mediave Zvicerane dhe Axel Springer kanë secila 50 përqind të kompanisë. "Fakti" raportoi se Duda kishte falur një pedofil. Presidenti u zemërua dhe pyeti: "A duan gjermanët të zgjedhin presidentin në Poloni? Kjo është poshtërsi! Unë nuk pajtohem me këtë."
Duda sulmoi gjithashtu korrespondentin në Varshavë të së përditshmes gjermane "Die Welt". Në një manifestim të fushatës zgjedhore, Duda, i mbështetur nga partia e qeverisë kombëtare konservatore Ligji dhe Drejtësia (PiS), foli për një "sulm gjerman" kundër Polonisë dhe e përmendi me emër reporterin e "Welt", Philipp Fritz. Ai kishte shkruar se kundërshtari i Duda-s, Rafal Trzaskowski do të ishte një president më i mirë sepse, ndryshe nga Duda, ai nuk këmbëngul për dëmshpërblime nga Gjermania për dëmet e shkaktuara nga Lufta e Dytë Botërore.
Deputetë të Bundestag-ut të pothuajse të gjitha grupeve parlamentare në Berlin u shprehën të shqetësuar për gjendjen e lirisë së shtypit në vendin fqinj të BE, përballë sulmeve verbale ndaj Fritz-it. Organizata Reporterët pa Kufij u ankua për raportime të njëanshme në televizionin publik në favor të Dudës që para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale.
Zgjedhjet e balotazhit për presidencën në Poloni do të zhvillohen të dielën e ardhshme. Sipas sondazheve, ekziston një garë e ngushtë midis Dudës dhe sfiduesit të tij liberal konservator Trzaskowski.