Qindra të vdekur nga tërmeti në Afganistan
22 Qershor 2022Zëdhënësi i qeverisë së talebanëve në Afganistan, Bilal Karimi, bëri thirrje për ndihmë të menjëhershme përmes Twitter-it. Autoritetet kanë frikë se numri i viktimave do të vazhdojë të rritet. Zëvendësministri për Menaxhimin e Fatkeqësive, Mawlawi Sharafuddin Muslim, foli me gazetarët për numrin aktual prej 920 të vdekur dhe më shumë se 600 të plagosur. Ndërtesa të shumta në provincat lindore afgane të Paktika dhe Chost janë shkatërruar, tha ai. Mediat afgane treguan pamjet e shtëpive të rrënuara. Mësohet se një fshat është shkatërruar plotësisht. Rajoni malor i prekur është bllokuar, punimet për shpëtimin janë vështirësuar shumë.
Një plak i një fisi nga rrethi Gyan në provincën Paktika tha për DW: "Vetëm në rrethin Gyan kanë vdekur më shumë se 190 njerëz dhe qindra të tjerë janë plagosur. Banorët janë të frikësuar." Bakhtullah foli për një situatë tepër të rëndë. Populli ka nevojë urgjente për tenda dhe ushqim. Ndërsa nga rajonet e tjera bëhet e ditur edhe për qindra të tjerë të vdekur dhe të lënduar.
Epiqendra në jugperëndim të Chost
Autoritetet në Pakistanin fqinj kanë raportuar për tërmetin vonë të martën në mbrëmje. Ato thonë se fuqia e tërmetit ishte 6.1 ballë. Vëzhguesit amerikanë të tërmeteve flasin për një tërmet me magnitudë 5.9 ballë dhe lëkundje të tjera më të vogla. Epiqendra ishte 44 kilometra në jugperëndim të qytetit afgan Chost, pranë kufirit me Pakistanin, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.
Tërmetet nuk janë të rralla në Afganistan me rreth 39 milionë banorë dhe veçanërisht në vargun malor Hindukush. Për shkak të strukturës së dobët të shtëpive, dëmet janë shpesh shkatërruese.
Kësaj i shtohet edhe fakti se situata humanitare ka qenë katastrofike që nga tërheqja e trupave perëndimore dhe marrja e pushtetit nga talebanët radikal islamikë gushtin e kaluar. Ka mungesë ushqimi dhe ilaçesh.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Afganistanin, Tomas Niklasson, shkroi në Twitter se BE-ja po monitoron nga afër situatën në zonën e tërmetit afgan dhe është "gati për të koordinuar dhe ofruar ndihmë urgjente". Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ata po shqyrtojnë gjithashtu nevojën për ndihmë në zonën e fatkeqësisë.
bc/se/fab (dw, dpa, ap, afp, rtr)