Quo vadis fqinj? Roli i Turqisë në konfliktin sirian
9 Shkurt 2012Natën në rajonin turko-sirian dëgjohen të shtëna. Herë pas here dëgjohen edhe granata. Fshatrat pranë kufirit gjithnjë e më shumë po e ndjejnë konfliktin e dhunshëm në Siri. Dy burra nga provinca jugore e Turqisë, Hatay sqarojnë: "Fqinji im ka vrima plumbash në panelet diellore dhe tek saçi. Roja kufitare ka qenë këtu dhe ka regjistruar dëmin. Frika është e madhe. Para së gjithash i trembemi granatave dhe raketave." Ndërsa një banor tjetër thotë: "Dje në mbrëmje mes orës 8 dhe 9 kemi dëgjuar të shtëna. Ne nuk dalim në rrugë. Fshihemi diku në vende të sigurta në shtëpi."
Turqia fajëson Këshillin e Sigurimit
Disa mijëra sirianë kanë marrë arratinë për në kufirin 900 kilometra të gjatë me Turqinë. Priten valë të reja refugjatësh. Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu ka ftuar të gjithë sirianët e përndjekur dhe të prekur nga regjimi të vijnë në vendin e tij. Në rast se gjendja vazhdon të shkallëzohet, priten edhe më shumë refugjatë. Kryetari i qeverisë turke, Rexhep Taip Erdogan është shprehur: "Ne kemi nevojë për një nismë të re, e cila do të bashkojë të gjitha vendet që nuk mbështesin regjimin në Siri, por popullin sirian."
Se çfarë qëllimi do të ketë kjo iniciativë nuk është e qartë. E qartë është që udhëheqja turke është shumë e shqetësuar për zhvillimet në vendin fqinj. Ajo shprehet e zhgënjyer për votimin në Këshillin e Sigurimit dhe veton ruse kundër një rezolute të OKB-së për Sirinë. "Ajo që ndodhi në Këshillin e Sigurimit është një fiasko. Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje të përmbushë detyrën e tij: Ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare. Ndërgjegja e bashkësisë ndërkombëtare rëndohet edhe një herë më shumë."
Armatosje e kryengritësve sirianë?
Rezoluta e OKB-së do të kishte shumë pak shanse të ndalonte dhunën në Siri. Nga ana tjetër mosarritja e një rezolute, ka efektin e benzinës në zjarr, sepse spiralja e dhunës që nga fundjava ka filluar të rritet. Omar Shavaf nga Këshilli Kombëtar Sirian, i cili qëndron në Turqi është shprehur: "Unë nuk besoj në ndihmë nga jashtë. Ne nuk e shpresojmë dhe nuk e presim një ndihmë të tillë. Dështimi i Këshillit të Sigurimit ka qenë i programuar. Nga fosilet e komunizmit si Kina dhe Rusia nuk mund të pritej gjë tjetër. Këto vende do të reagonin si Asadi, po qe se do të kishte kryengritje popullore në vendet e tyre."
Siria është e rëndësishme për Turqinë si partner ekonomik, si vend tranzit, si faktor stabiliteti. Turqia do të përpiqet të ushtrojë ndikimin e saj, sa më shumë të jetë e mundur. Kjo mund të implikojë edhe armatosjen e kryengritësve dhe ngritjen e një barriere sigurie deri në 20 kilometra, përgjatë kufirit turko-sirian. Megjithatë Ankaraja e përjashton mundësinë e veprimeve të veçuara, por jo ndërhyrjen e koordinuar ushtarake brenda NATO-s dhe Ligës Arabe. Ndoshta nisma e re e Erdoganit shkon pikërisht në këtë drejtim.
Autor: Reinhard Baumgarten/Lindita Arapi
Redaktoi: E. Xhani