Kryeministri spanjoll prezantohet si viktimë e shpifjeve
1 Gusht 2013Në skandalin rreth akuzave të rënda për korrupsion, kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy sërish ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Janë "gënjeshtra" dhe "shpifje të liga" që janë hedhur në qarkullim kundër tij, tha Rajoy në një seancë të posaçme të parlamentit në Madrid. Kërkesat e opozitës socialiste për të dhënë dorëheqjen, 58-vjeçari i kundërshtoi kategorikisht. "Asgjë në lidhje me këtë çështje nuk mund të më ndalojë që të qeveris", theksoi kryeministri konservator. Si konseguencë nga skandali, qeveria do të ashpërsojë ligjet anti-korrupsion si dhe rregullat për dhënien e tenderave publikë, njoftoi Rajoy.
Sipas dëshmive të ish përgjegjësit të thesarit të partisë së Rajoy-t, Partia Popullore (PP), Luis Bárcenas, kryeministri, në kohën kur ka qenë kryetar i opozitës, është pasuruar nga një arkë e partisë me fonde të paligjshme. Në këtë arkë sipas njoftimeve të medieve për rreth 20 vjet kanë rrjedhur dhurata në para nga sipërmarrje, kryesisht nga sektori i ndërtimit. Bárcenas ka dëshmuar se ai personalisht i ka dorëzuar Rajoy-it 25.000 euro nga arka e zezë.
Një "gabim"
Rajoy ia hodhi fajin për skandalin ish përgjegjësit të thesarit. Ka qenë "gabim" t'i besonte Bárcenas, pasi nuk e ka merituar, tha kryeministri. Bárcenas ndodhet në arrest hetimor që prej muajit qershor. Ai akuzohet se ka fshehur në llogari jashtë vendit 48,2 milionë euro si dhe për korrupsion, pastrim parash dhe mashtrim fiskal.
Në zgjedhjet në nëntor 2011 Partia Popullore spanjolle fitoi shumicën absolute në parlament, gjë që Rajoy e shfrytëzoi për të çuar përpara reformat e ashpra. Plasja e fllusksës së imobiljeve e çoi vendin drejt rrënimit ekonomik. Ndërkohë Spanja ndodhet në një recesion të thellë dhe bën pjesë ndër vendet më problematikë të eurozonës.