1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rama: Dialogu Kosovë- Serbi, rruga e vetme drejt paqes

Ani Ruci'
26 Shtator 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bën thirrje për dialogun Kosovë- Serbi dhe rishikimin e raportit të Dick Marty-t.

https://p.dw.com/p/4HK1q
Albanien Premierminister Edi Rama
Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Në një fjalim të mbajtur në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se dialogu Kosovë- Serbi është rruga e vetme drejt paqes. Rama theksoi se "është koha që Kosova dhe Serbia të kapërcejnë ngërçin aktual në dialogun e tyre dhe të punojnë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA.”

UN Generalversammlung Albanien Rama
Fotografi: Albania Premiership

"Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t'u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë”, tha ai.

Serbien Open Balkan Gipfel in Belrad
Fotografi: Government of North Macedonia

Kryeministri Rama vuri në dukje që pavarësisht nga forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, "Shqipëria nuk do lëvizë nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të çdo vendi, përfshirë dhe Serbinë, që të njohë Republikën e Kosovës.”

Thirrje Këshillit të Europës të rishikojë raportin e Dick Marty-t

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti në fjalën e tij në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së raportin Marty-t si "rastin më të keq të realitetit të shtrembëruar dhe manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës”.

Në raportin në fjalë të përpiluar nga Dick Marty në vitin 2011, ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe raportues i këtij Këshilli, Ushtria Çlirimtare e Kosovës akuzohet për krimin e trafikimit të organeve.

Dick Marty Abgeordneter des Europarats Flash-Galerie
Dick Marty Fotografi: AP

Në korrik të këtij viti Parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolutë kundër akuzave për trafik organesh në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës në Kosovë dhe i kërkoi Këshillit të Europës ta rishikojë raportin e Dick Marty.

"Ne mendojmë dhe shpresojmë që Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, për të ndihmuar rivendosjen e besueshmërisë së një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Shqipëria kurrë nuk do të heqë dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalë së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre”, tha kryeministri Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.