1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raundi i fundit i bisedimeve shqiptaro - serbe në Vjenë

Bahri Cani10 Mars 2007

Në Vjenë po zhvillohen bisedimet në nivelin më të lartë mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. Me ftesën e përfaqësuesit të OKB në takimin e fundit të drejtëpërdrejtë kanë shkuar presidentët Fatmir Sejdiu e Boris Tadiq, kryeministrat Agim Çeku e Vojisllav Koshtunica dhe anëtarë të tjerë të grupeve negociatore.

https://p.dw.com/p/AqXS
Fotografi: pa / dpa

Në praninë e përfaqësuesve të Grupit të Kontaktit, BE, Natos dhe Unmikut, Beogradi dhe Prishtina kanë mundësinë që për herë të fundit t'i paraqesin verzionet e tyre, për zgjidhjen e statusit të Kosovës, para se kjo çështje të dërgohet në Këshillin e Sigurimit të OKB. Mirëpo verzionet e tyre të fundit janë ato që u dëgjuan edhe në fillim, para më shumë se një viti. Prishtina kërkon pavarësi të plotë, ndërsa Beogradi refuzon cdo lloj pavarësie. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, në prag të takimit në pallatin Hofburg të Vjenës, tha se se "Kosova do të jetë një shtet demokratik i pavarur ku të gjithë qytetarët do të kenë të drejta të barabarta. Kosova është e interesuar për integrime evropiane dhe do të jetë një faktor stabiliteti në rajon", u shpreh Sejdiu.
Kryeministri Agim Çeku poashtu mendon se ka ardhur koha për zgjidhjen përfunditmare të statusit përfundimtar. Takimin e sotëm ai e sheh si një hap tjetër drejt pavarësisë së Kosovës. Çeku tha se Prishtina gjithë kohën e këtij procesi ishte aktive dhe kooperative dhe në fund e ka pranuar edhe dokumentin përfundimtar të Ahstiarit, i cili tani duhet të dërgojë propozimin e tij në KS të OKB, ku duhet të vendoset për pavarësinë e Kosovës.
Në delegacionin është edhe lideri opozitar Hashim Thaçi i cili u shpreh se me këtë proces po përmbyllet kapitulli i paqartësive, i hapet rruga pavarësisë së Kosovës dhe integrimeve evropiane. Sipas tij, pavarësia e Kosovës i mundëson edhe Serbisë hapjen e një kapitulli tjetër.
Pala serbe e sheh këtë çështje ndryshe. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq në prag të takimit tha se propozimi i Marti Ahtisarit i hap rrugën pavarësisë së Kosovës, që për Serbinë është e papranueshme. Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica u shpreh se për bisedime ka mbetur shumë pak hapësirë, ndërsa Serbia po bën vetëm atë që do të bënte secili vend tjetër i botës.
"Asnjë vend i lirë dhe demokratik nuk do të lejonte që të vë në pikëpyetje integritetin e tij territorial. Këtë po e bën edhe Serbia. Asnjë shtet i lirë dhe demokratik nuk od të lejonte që ti shkëputet një pjesë e territorit. Ky është qëndrimi që ne do të përsërisim edhe njëherë."
Kryeministri i Serbisë tha se ata do të marrin pjesë në bisedime, por ka gjëra për të cilat nuk mund të bisedohet fare. Një gjë e tillë është integriteti territorial i Serbisë, ku sipas tij, bën pjesë edhe Kosova. Ministri i jashtëm i Serisë Vuk Drashkoviq tha se nga takimi i sotëm do ti dërgohet një sinjal i qartë Këshillit të Sigurimit të OKB.
"Zoti Ahtisari për shkaqe të panjohura, nuk kishte vullnetin e duhur për kompromis, edhe pse ky kopmromis ishte një prej parimeve kryesore të Grupit të Kontatit. Ne do të ritheksojmë dëshirën tonë për kompromis, sipas së cilit shqiptarët mund të qeverisin Kosovën, pa përzierjen e Beogradit. Mirëpo duhet respektuar të gjitha të drejtat e serbëve dhe para së gjithash kufijtë e tanishëm të Serbisë me Shqiëprinë dhe Maqedoninë", thotë Drashkoviq duke shtuar se "askush në Serbi nuk ka mandatin për bisedimet për ndryshimin e kufijëve. Këtë mandat nuk e ka as Marti Ahtisari e madje as Këshilli i Sigurimit të OKB, sepse kufijtë e jashtëm garantohen me konventat e organizatës botërore".
Pas takimit Ahtisari dhe delegacionet e Prishtinës e Beogradit do të sqarojnë qëndrimet e tyre edhe para gazetarëve.